Stadiumi “Azteca” hyri në historinë e futbollit si skena ku Diego Armando Maradona shënoi golin e “Dorës së Zotit” në vitin 1986. Tani, impiantit që ndodhet në Mexico City i shtohet edhe një tjetër, si i pari që monitorohet nga NASA.
Nuk po flasim për alienët, të cilët në Meksikë janë një temë që diskutohet edhe në Parlament, por për konfigurimin e Tokës. Prej kohësh, studimet e terrenit ku ndodhet edhe stadium që do të presë ndeshjen hapëse të “Botërorit 2026” mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut më 11 qershor, kanë treguar fundosje, siç po ndodh edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Dhe jo një sasi e vogël, por mesatarisht rreth një centimetër e gjysmë në muaj. Sikur të mos mjaftonte faktori strukturor, ekziston edhe faktori njerëzor: disa video që qarkullojnë në internet tregojnë tifozët duke shkëputur copa betoni nga tribunat për të marrë “suvenire” të arenës.
Në postime të tjera, të datuara vetëm pak javë më parë, mund të shihni pjesë të tribunave të rinovuara së fundmi duke u shkëputur. Jo një shenjë e mirë për stadiumin, të ndërtuar në vitin 1966 dhe ku u zhvilluan dy finale të Kupës së Botës Brazili kundër Italisë në vitin 1970 dhe Argjentina kundër Gjermanisë Perëndimore në vitin 1986.
Me një lartësi prej 35 metrash, kohët e fundit u shtuan 14 shkallë shtesë për të arritur në bazën e saj. Por zhytja e stadiumit ka sjellë shqetësime të mëdha mbi strukturën e stadiumit që përveç sfidës hapëse do të presë edhe katër ndeshje të tjera të Kupës së Botës. Pikërisht për të monitoruar në kohë reale cdo lëvizje, inxhinerët meksikanë dhe jo vetëm po përdorin pamjet e satelitëve të NASA për të evituar çdo rrezik të mundshëm.
