Irena Gjoka nuk ka kryer vepër penale dhe nuk ekzistojnë kushtet ligjore për ta ndjekur atë penalisht, tha prokuroria e posaçme pasi ezauroi të gjitha fazat hetimore ndaj magjistrates së Gjykatës së Posaçme Anti-korrupsion, ku konstatoi se nga autoritetet greke nuk figurojnë të dhëna për dënimin penal të saj.
Pas disa muajsh veprime hetimore, SPAK i kërkoi gjykatës së posaçme të pushonte hetimet ndaj Gjokës, pasi nuk u gjetën elementë të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve, vulave apo stampave.
Por Kolegia e Irena Gjokës nuk është dakord. Gjykatësja e posaçme Marinela Osmani mendon se ajo duhet të rihetohet, duke i lënë 6 muaj afat kohorë prokurorit Bledar Maksuti të plotësojë hetimet që mungojnë në dosje.
Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, avokati Edmond Petraj u shpreh kritik ndaj mënyrës se si po trajtohen disa çështje hetimore, duke theksuar se po regjistrohen procedime që sipas tij nuk duhet të ekzistojnë.
Avokati Petraj ka deklaruar se institucionet e drejtësisë po përfshihen në procedime të panevojshme, duke akuzuar gjykatat dhe prokuroritë se po bien pre e “gënjeshtrave”.
“Gjykatat apo prokuroritë kanë rënë në kurth të gënjeshtrave, po regjistrojnë edhe procedime që nuk duhen regjistruar”, deklaroi ai.
Avokati ndaloi edhe te roli i gjyqtarit në procesin hetimor, duke theksuar se gjyqtari nuk duhet të ndërhyjë në orientimin e hetimeve apo në përcaktimin e detyrave për prokurorinë.
“Gjyqtari asnjëherë nuk orienton hetimin. Nuk lë gjyqtari detyra”, u shpreh Petraj.
