Arrestohet djali i themeluesit të brendit “Mango”, hetohet për vdekjen e babait të tij

BOTA


Policia në Katalonja ka arrestuar Jonathan Andiç, djalin e themeluesit të kompanisë së njohur të modës “Mango”, në lidhje me vdekjen e babait të tij, Isak Andiç, ka shkruar The Guardian.

Biznesmeni 71-vjeçar humbi jetën në dhjetor të vitit 2024, pasi dyshohet se ra rreth 100 metra në një humnerë malore gjatë një ecjeje në zonën e Montserrat pranë Barcelonas, ku ndodhej së bashku me djalin e tij Jonathan.

Fillimisht, autoritetet e trajtuan rastin si aksident. Megjithatë, mediat spanjolle raportuan më vonë se hetuesit nisën të shqyrtonin edhe mundësinë e një vrasjeje.

Policia e Katalonjës, Mossos d’Esquadra, konfirmoi se Jonathan Andiç është arrestuar dhe po merret në pyetje lidhur me rastin.

“Bashkëpunimi ka qenë dhe do të mbetet i plotë”, ka deklaruar një zëdhënës i familjes.

Familja shtoi se beson në pafajësinë e Jonathan Andiç.

Sipas raportimeve të gazetës El País, policia nuk ka gjetur prova të drejtpërdrejta për atë që ndodhi në humnerë, por disa indicie i kanë shtyrë hetuesit të mos e konsiderojnë më rastin thjesht aksident.

Ndërkohë, La Vanguardia ka raportuar se gjykatësi i çështjes ndryshoi statusin e Jonathan Andiç nga dëshmitar në person të dyshuar që në shtator të vitit të kaluar.

“Familja Andiç nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë mbi vdekjen e Isak Andiç. Ata respektojnë hetimet në vazhdim dhe do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me autoritetet, duke besuar se pafajësia e Jonathan Andiç do të provohet”, pati deklaruar më herët familja Andic.



Skip to toolbar