Në maj 1891, kur Revolucioni Industrial po e kthente punëtorin në zgjatim të makinerisë, ishte pikërisht Kisha me “Rerum Novarum” që u përpoq të vendoste një standard moral mbi një ekonomi që po ecte me ritmin e fabrikës dhe jo atij njerëzor.
Sot, ekzaktësisht 135 vite më vonë, “Magnifica Humanitas” duket sikur po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë me Inteligjencën Artificiale. Dallimi është se kësaj here makina nuk po zëvendëson vetëm forcën fizike të njeriut, por po afrohet me procesin e mendimit dhe krijimit të një realiteti virtual.
Enciklika e re e thekson qartë se beteja nuk është kundër teknologjisë dhe kjo është pozitive, që të mos biem pre e grackës së mendimit njëdimensional për zhvillimet teknologjike. Enciklika e pranon se AI mund të ndihmojë në disa fusha dhe të zhvillojë shoqërinë.
Një nga pohimet më të forta të kësaj enciklike është se dobësia njerëzore nuk është defekt që duhet fshirë. Në një moment teknologjik që premton perfeksion artificial, Vatikani kërkon të vërë në dukje se njeriu nuk është software që duhet optimizuar. Sepse momenti kur shoqëria fillon ta trajtojë dobësinë si gabim teknik, është momenti kur fillon dehumanizimi.
Ashtu si “Rerum Novarum” mbrojti dinjitetin e punëtorit në fabrikë, “Magnifica Humanitas” kërkon të mbrojë dinjitetin e njeriut përballë automatizimit.
Por pjesa më politike e enciklikës është paralajmërimi se fuqia teknologjike nuk është më kryesisht tek shtetet, por tek kompani private globale që kanë më shumë fuqi se shumë qeveri. Në këtë pikë, dokumenti tingëllon më shumë si analizë gjeopolitike sesa tekst fetar. Pikërisht për këtë arsye, enciklika paralajmëron edhe rrezikun që teknologjia ta shkëpusë njeriun nga përgjegjësia morale në luftë, duke krijuar distancë mes vendimit për të vrarë dhe ndërgjegjes njerëzore që duhet ta mbajë peshën e atij vendimi.
Dhe kjo nuk është një kambanë që vjen nga një institucion pa ndikim global, Selia e Shenjtë ruan marrëdhënie diplomatike me 184 shtete, duke e bërë Vatikanin jo vetëm autoritet moral, por edhe aktor me peshë reale politike dhe gjeopolitike në arenën ndërkombëtare.
Në këtë kuptim, Kisha duket se e ka bërë tashmë detyrën e saj morale duke ngritur alarmin. Por kambana duhet të dëgjohet pikërisht nga institucionet që kanë fuqinë për ta kthyer shqetësimin etik në mekanizma konkretë mbrojtës, sepse pragmatizmi i kujtdo kërkon veprim përpara se pasojat të bëhen të pakthyeshme.
Historia e “Rerum Novarum” na mësoi se doktrina morale, e vetme, nuk mjafton. Fillimisht ai ishte vetëm tekst fetar, më pas u kthye në klimë morale dhe në fund ndikoi ligjet e punës, shtetin social dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Kjo është shpresa edhe për “Magnifica Humanitas”, që të mos mbetet thjesht kambanë morale në epokën e AI, por të bëhet fillimi i një presioni real politik dhe ligjor mbi teknologjinë. Sepse historia ka treguar se dominanca nuk ndalohet me moral, por vetëm kur morali arrin të kthehet në rregull detyrues.
Pikërisht për këtë arsye, enciklika duhet të shërbejë si terren rregullues për t’u kujtuar shteteve se sfida nuk është ndalimi i Inteligjencës Artificiale apo frenimi i zhvillimit teknologjik, por ndërtimi i një kornize ligjore që garanton se inovacioni nuk do të prodhojë destabilitet apo izolim social.
