Kushtetuesja kthen dosjen Veliaj: Gjykata e Lartë të shpjegojë masën e arrestit në korrik 2025

AKTUALITET


Gjykata Kushtetuese rikthen në Gjykatën e Lartë çështjen e arrestit me burg për Erion Veliajn.

Kryebashkiaku kishte dorëzuar disa pretendime në Kushtetuese, në të cilat kërkon shfuqizimin e masës së arrestit me burg, ku qëndron prej shkurtit të 2025, duke e vlerësuar atë jo proporcionale në drejtim të ushtrimit të detyrës së kryetarit të bashkisë.

Me shumicë votash, Kushtetuesja ka vendosur të mos thotë as po dhe as jo nëse kjo masë ndaj Veliajt është apo jo e padrejtë.

Por e kthen çështjen në Gjykatën e Lartë dhe i thotë kësaj gjykate që të arsyetojë plotësisht vendimin e saj kur ka shqyrtuar rekursin e Veliajt.

Këtë vendim të Kushtetueses, Gjykata e Lartë duhet ta marrë në shqyrtim dhe të tregojë të gjithë arsyetimin e saj pse Veliaj duhet të qëndrojë në burg, duke e lidhur këtë drejtpërdrejt me ushtrimin e detyrës si kryetar bashkie. Veliaj, në pretendimet e tij në Gjykatën Kushtetuese, arsyetonte se në rastin e tij, cenimi i lirisë është i dyfishtë për shkak se ai është kryetar bashkie.

Po ashtu, Kushtetuesja ka pranuar një pretendim të Veliajt sa i përket qëndrimit në kafazin e qelqtë gjatë procesit gjyqësor. Edhe këtë pikë Gjykata e Lartë duhet ta arsyetojë në drejtim të dyshimit të arsyeshëm dhe prezumimit të pafajësisë.

Deri atëherë, Erion Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në qeli, ndërsa në seancat e procesit, brenda kafazit të qelqtë.



Skip to toolbar