Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, pjesë e Koalicionit Opozitar ka pranuar të mërkurën se ka një përçarje brenda opozitës, gjë të cilën e ka paralajmëruar më herët Realstory.al.
Por Shehi thotë se më parë opozita do të bëjë çdo përpjekje për të larguar Ramën dhe më pas do të hedhë sytë për të reformuar veten e saj.
“Opozita për sa kohë që të jetë Rama, do jetë e bashkuar edhe me negativët e saj. Ditën që do rrëzojmë Ramën, që do hapet fusha e lojës, gjykoj që opozita e ka për detyrim që të reflektojë brenda vetes, se si mund të përmirësohet sistemi, sesi duhet të largohen njerëz që janë konsumuar edhe në frontin opozitar. Kur është Rama në pushtet, do mbyllim “sytë”. ”, tha Shehi në Report TV.
I pyetur për kreun e PD-së, Lulzim Basha, Shehi tha se ai ka defektet e veta por është lideri i opozitës.
“Basha mund t’i ketë të gjitha defektet e veta, por unë e shikoj më të mirin e pranueshëm. Nuk jemi kundër që të na drejtojë ai. Shqipëria ka nevojë për njerëz të ndershëm dhe të thjeshtë. Nuk kemi nevojë as për Skënderbe, e ka mazhoranca, është bërë Edi Rama, dy nuk bëjmë ne. Basha unë gjykoj se është një lider i mjaftueshëm”, tha Shehi.
Më herët Realstory referuar një deklarate të bërë nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, raportoi se brenda koalicionit opozitar ka një përçarje dhe se Kryemadhi po flirton me Ramën. Ajo vetë ka deklaruar në një interviste televizive se “nëse do ishte në vend të Bashës do të futej në zgjedhje me Ramën”. Deklaratë kjo që bie në kundërshtim me qëndrimin “Rama ik” të Bashës.