Përçahet opozita, Monika ‘flirton’ me Ramën

AKTUALITET


Monika Kryemadhi prej disa ditësh ka dalë me qëndrime më të moderuara se kryetari i Partisë Demokratike, në lidhje me vijimin e aksionit opozitar dhe zgjidhjen e krizës. Shefja e LSI-së, deklaroi tre ditë më parë, se ishte gati për dialog me Edi Ramën, por me kushtin e vetëm që Kryeministri, të paraqitet në tryezën e dialogut si kryetar i PS-së. Ky qëndrim i Kryemadhit, nuk ka marrë mbështetje nga liderë të tjerë të opozitës, por as nuk është kundërshtuar.

Megjithatë, Lulzim Basha vijon të mbetet i prerë në qëndrimin e tij, Rama të largohet dhe më pas zgjidhet kriza. Por, qëndrimet e Bashës, duket se tashmë nuk janë në koherencë të plotë me ato të Kryemadhit. Shefja e LSI, mbrëmjen e vonë të së martës, ka folur në një studio televizive, ku është shprehur se “ Të jem unë si Lulzim Basha unë shkoj në zgjedhje me Edi Ramën. Sot të shkosh në zgjedhje me Edi Ramën kemi 90% të shqiptarëve. Ja kam thënë dhe Basha e di shumë mirë këtë gjë, jo vetëm Basha por shumë të tjerë. Nuk kam asnjë kontraditë (me Bashën), jemi të rakorduar. Jemi në negociata me ndërkombëtarët. Sot opozita është në udhëheqje të opinionit kombëtar dhe shqiptar”.


Një deklaratë e fortë kjo e Kryemadhit, që bëhet për herë të parë pas pesë muajsh aksion opozitar, dhe që duket se vë kreun e PD-së nën presion për të pranuar hyrjen në dialog. Në këtë pikë, deklarata e Monika Kryemadhit duhet lexuar edhe si një sfidë ndaj Lulzim Bashës për 13 tetorin. Të gjithë aleatët e vegjël të Bashës kanë deklaruar më herët se do të futen në zgjedhjet e 13 tetorit, edhe LSI e Monika Kryemadhit do të mbështesë dekretin e Ilir Metës. I vetmi që nuk ka pranuar këtë dekret deri më tani, është Lulzim Basha, i cili deklaroi më 27 qershor (ditën që doli dekreti) se nuk do të pranonte asnjë datë zgjedhjesh pa largimin e Ramës.

Në këto kushte, Monika Kryemadhi, e vënë edhe nën presion elektoral, tashmë që nuk do të ketë më asnjë pushtet lokal dhe qendror, dhe me rrezikun e firove në rradhët e partisë së saj, duket se po kërkon një proces të përshpejtuar të zgjidhjes së krizës dhe shkuarjen në zgjedhje sa më parë, pasi vetëm kështu mund të shpëtohet LSI.

Këtë e vërteton edhe një sondazh i fundit i Eduard Zaloshnjës, i cili tregon se LSI, nëse zgjedhjet mbahen sot, humb më shumë se 140 mijë vota në krahasim me zgjedhjet e fundit. Ndërkohë, këto vota që kanë rrjedhur nga LSI, kanë shkuar te PD-ja, pasi po sipas këtij sondazhi, Partia Demokratike kishte  pësuar një rritje me rreth 100 mijë vota.




Skip to toolbar