Baze: Basha, peng i atyre që gënjeu!

Më të fundit


Ballshi nuk është ndonjë bastion i PD. Në tërësi Mallakastra është një bastion i së majtës, bile të majtës ekstreme. Në zgjedhjet e vitit 2015 për Bashki, për shkak se socialistët i lanë zonë të lirë LSI-së, aty fitoi PD.

Ndaj dhe shumë vetë, mund të habiten kur shikojnë se si sot në pasdite, mes shiut dhe zagushisë së Korrikut, Lulzim Basha ka marrë rrugën të shkojë në Ballsh, ku nuk ka qenë thuajse kurrë.

Ai tani ka një hall më të madh se sa zgjedhjet e 30 Qershorit. Ai ka problem se si të frenojë debatet që po shpërthejnë nga ish kryetarët në detyrë të bashkive të PD, që ai i gënjeu para 30 Qershorit, duke i “garantuar” se 30 Qershori nuk do të ndodh nuk do të lejohet dhe nuk do të njihet, dhe se ata nuk duhet të kandidonin si të pavarur, ose me ndonjë forcë tjetër politike.

Kapllanaj në Mallakastër ka qenë një prej tyre, i cili nuk është se vinte nga PD, por ishte kryetar bashkie falë kontradiktave mes PS dhe LSI në zgjedhjet e 2015.

Lulzim Basha tani po përballet me problemin e dështimit të tij më 30 Qershor. Siguria që ju dha disa prej kandidatëve në detyrë si kryetarë bashkishë, se më 30 Qershor nuk ka zgjedhje, e ka përballur atë, dy ditët e fundit, me një agresion nga disa prej kryetarëve të bashkive ende në detyrë, kryesisht atij të Kamzës, Vorës, Mallakastrës etj.

I dyshuar se i ka sakrifikuar ata për interesat e tij, duke u tërhequr në hapat e fundit nga bllokimi i zgjedhjeve të 30 Qershorit, Luzlim Basha do të duhet tani të kthehet në një lloj pengu të tyre, duke u detyruar të shfaqet në publik si garant i tyre. Shëtitja e tij sot pasdite në Ballsh ishte një poshtërim publik që kryetari Kapllanaj i bën kryetarit të PD, për të lëpirë vetë atë që ka pështyrë mbi 30 Qershorin. Së paku ai do të jetë i qetë në Ballsh para mbështetësve të vet, duke u treguar se kush i mori më qafë.

Dhe Basha ngjante vërtet një kryetar i marrë peng, që shëtitej rrugëve të qytetit në krah të Agron Kapllanaj, duke deklaruar se ai nuk do të dal nga Bashkia derisa të ribëhen zgjedhjet.

Natyrisht kjo nuk është se e qetëson Kapllanaj, apo Mziun apo Fiqon në Vorë, por Basha po përpiqet të ndal sulmet e orëve të para ndaj tij, pikërisht nga kryebashkiakët që gënjeu.

Ndaj mos u çudisni këto ditë kur ta shikoni në Kamëz, në Vorë, në Selenicë, në Shkodër, në Lezhë dhe Vau i Dejës, për t’i qetësuar se ka një plan të ri.

I fiksuar nga ideja se ndaj tij mund të ketë revoltë, ai po përpiqet të artikuloj sa më shumë fjali të tipit, “PD doli më e bashkuar nga zgjedhjet”, apo të shpik një gënjeshtër të re, që zgjedhjet do të ribëhen.

I gjithë halli i tij është sa të kalojnë këto muajt e verës pa sherre dhe pa shpërthyer ende ndonjë prej kryetarëve të bashkive që do ngelen pa punë.

Dhe për këtë sot ka marrë rrugën deri në Ballsh, pas sherrit që pati dy ditë më parë me kryebashkiakun e Ballshit në takimin që pati në selinë e SHQUP.

Njësoj do ta shikoni dhe në qytetet e tjera ku ka pasur bashkitë PD.

Njeriu që i gënjeu para 30 Qershorit, duke u hequr si “zoti” i tyre,  tani do të jetë ca kohë shërbëtori i tyre, vetëm që ata të mos ngrenë zërin.

Pas disa muajsh, pastaj nuk ka më rëndësi, se mund ti nxjerrë dhe armiq. Këto dy muajt e parë e ka pak problem dhe është gati të kthehet në një kryetar të marrë peng prej tyre, që ta shëtisin si Arusha “Mira” nëpër qytet për tu treguar se kush i mori më qafë.



Skip to toolbar