Barazim heroik, Partizanin e ndal shtylla ndaj milionerëve të Karabakut

Më të fundit


Partizani ka barazuar 0-0 me Karabakun në një ndeshje me dy fytyra. Në pjesën e parë të kuqtë dukeshin qartazi që e kishin mbivlerësuar kundërshtarin dhe i lanë gjithë iniciativën azerëve. Karabaku i rrezikoi shumë për hir të së vërtetës, madje ia mohoi golin shtylla.

Por në pjesën e dytë u pa një Partizan krejtësisht tjetër, që jo vetëm sulmoi më tepër, por shfaqi edhe personalitet. Portierit azer iu desh të bënte një mrekulli më goditjen me kokë të Çinarit në minutën e 50-të, ndërkohë një minutë më pas Belica goditi traversën.


Diferencat ishin të qarta, por nëse merret në konsideratë fakti që Partizani po luante kundër një ekipi që ka shkuar katër herë në fazën e grupeve të Ligës së Europës dhe një herë në grupet e Ligës së Kampionëve, apo nëse llogarit edhe buxhetin prej 20 milionë eurosh që ka Karabaku, atëherë rezultati dhe paraqitja e të kuqve ishte brenda pritshmërisë.

Natyrisht, në ndeshjen e kthimit kampionëve të Shqipërisë do t’u duhet ndeshja perfekte, por nuk kanë asgjë për të humbur. Përkundrazi, kanë shumë shpresë se mund të bëjnë goditjen e madhe.

Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, foli për mediat menjëherë pas mbylljes së ndeshjes mes Partizanit dhe Karabakut, duke deklaruar se asgjë nuk është mbyllur, dhe pret ndeshjen e kthimit. Një fjalë edhe për trajnerin Lerda, ku presidenti i kuq u shpreh se tekniku ishte mirë në syrin e tij. “Ishte ndeshje e bukur, ata janë ekip i fortë. Ne patëm rastin tonë, por nuk e bënë. Gjithsesi, rezultat i mirë. Tani rritemi edhe në koefiçient, me këto rezultate. Kualifikim? Loja është e hapur, nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. E mbani mend Ferencvaroshin, na bëri gol këtu, i bëmë gol atje. Trajneri? Ka ende kohë për të folur për trajnerin. Por, mirë ishte”, deklaroi presidenti Demi.

Ndërsa trajneri i Karabakut, Gurban Gurbanov, tha se do ia bënte “ferr” ndeshjen e kthimit Partizanit. “Ishte një ndeshje e vështirë për ne, patëm vështirësi. Partizani luajti mirë, një skuadër kompakte në mbrojtje. Në ndeshjen e dytë, Partizani do e ketë më të vështirë se sa e pati sot. Në pjesën e dytë, pati shumë momente të rrezikshme nga Partizani, por në përgjithësi ata do bënin disa raste, sepse luanin para tifozëve të tyre. Edhe nëse do fitonim sot, do ishim sërish të preokupuar, sepse duhet të marrësh seriozisht çdo ndeshje, edhe në atë të kthimit”, tha Gurbanov.




Skip to toolbar