Një operacion është ndërmarrë këtë të martë (23 qershor) ku forca të shumta policie kanë zbarkuar në terren në zonën e Krujës për goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.
Prej orëve të para të mëngjesit, qindra efektivë të Policisë së Shtetit, Policisë Tiranë dhe Policisë Krujë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, kanë nisur kontrolle të gjera në territorin e rrethit Krujë. Operacioni po zhvillohet si në terren të hapur ashtu edhe në ambiente të mbyllura, me fokus parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Në aksion po përdoren edhe dronë të teknologjisë së lartë për identifikimin e parcelave të dyshuara.
Sipas të dhënave paraprake, në zonat e njësisë administrative Cudhi janë evidentuar dhe asgjësuar me djegie një numër i konsiderueshëm fidanësh dhe bimësh të dyshuara narkotike të llojit kanabis.
Kontrollet janë shtrirë edhe në ambiente të mbyllura, ku dyshohet për kultivim me llamba, ndërsa në bashkëpunim me OSHEE po identifikohen zonat me risk për konsum të paligjshëm të energjisë elektrike. Në operacion janë përfshirë edhe grupe të posaçme hetimore, të cilat po punojnë nën drejtimin e Prokurorisë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm.
Autoritetet policore kanë paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim në fshatra të tjera të njësive administrative të rrethit Krujë, ndërsa u kanë bërë thirrje banorëve të mos përfshihen në kultivimin e bimëve narkotike, duke theksuar se do të ketë ndëshkime ligjore për çdo rast të konstatuar.
