Avokati “divorcohet” nga Meta/ Kujtim Cakrani: Mungesë bashkëpunimi dhe mirëbesimi reciprok

AKTUALITET


Dy muaj më parë ai ofroi ccifligun e tij dhe 50 milionë lekë për të liruar nga qelia Ilir Metën, ndërsa sot Kujtim Cakrani deklaroi se ka hequr dorë nga mbrojta ligjore e ish Presidentit të vendit për mungesë bashkëpunimi dhe mirëbesimi reciprok.

Për më shumë se një vit, Kujtim Cakrani mbroi ligjërisht Ilir Metën në procesin penal që po zhvillohet ende ndaj tij në Gjykatën e Posacme Antikorrupsion, si person që dyshohet se ka kryer në tre raste korrupsion pasiv, ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pasuritë e tij si dhe ka pastruar paratë.

Shkëputja mes tyre ndodhi si shkak i seancës së fundit gjyqësore që u zhvillua në GJKKO, ku Cakrani paraqiti listën e dëshmitarëve që kërkon të thirren në këtë proces dhe të merren në pyetje lidhur me hetimin e Prokurorisë së Posacme për aferën CEZ DIA dhe lobimin e ish LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi. Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive”, thuhet në deklaratë

Në seancën e radhës që është parashikuar të zhvillohet në datë 9 korrik, Gjykata e Posacme do të duhet të relatojë dorëheqjen e Cakranit nga përfaqësimi i Ilir Metës dhe më pas trupa gjykuese i jep të drejtën të pandehurit që ai të zgjedhë një tjetër mbrojtës ligjor, i cili do të kërkojë kohën maksimale për tu njohur me aktet e prokurorisë për një mbrojtje efektive.

Procesi gjyqësor në ngarkim të ish presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, të cilët po gjykohen më vete me procedurë të zakonshme, është në fazën e kundërshtimeve që do të bëhen nga Kryemadhi lidhur me parashtrimet e organit të akuzës.

Më pas shkalla e parë e gjyqësorit do të shprehet për pranimin ose rrëzimin e kërkesës së të dyja palëve për thirrjen e rreth 200 dëshmitarëve në këtë proces gjyqësor.



Skip to toolbar