Tri ditë ecje në këmbë përgjatë shtigjeve nga fshati Nezuk në Bosnje drejt Srenbenicës. 100 kilometrat janë pjesë e “Marshit të Paqes” në përkujtim të viktimave të gjenocidit të kryer në vitin 1995 nga serbët mbi popullsinë vendase myslimane.
Rruga është e njëjtë më atë që 31 vite më parë përdorën banorët e zonës për të dalë gjallë nga sulmet e armatosura. Sipas planifikimit ata do të mbërrijnë në Potoçari mbrëmjen e 10 korrikut, ndërsa më 11 korrik do të marrin pjësë në shënimin e përvjetorit dhe në ceremoninë e varrimit kolektiv në varrezat e Qendrës Memoriale të Srebrenicës, atje ku këtë vit do të varrosen edhe 10 viktima të gjenocidit.
Viktima më e re mes tyre është Senad Jusiç, i cili mbeti i vrarë në moshën 20 vjeçare, ndërsa me i vjetri Ramo Dautoviç, i lindur në vitin 1939, i cili u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare.
“Marshi i Paqes” organizohet që nga viti 2005 dhe numri i pjesëmarrësve rritet çdo vit.
Qëllimi i kësaj ngjarjeje është forcimi dhe ruajtja e kulturës së kujtesës për gjenocidin e kryer ndaj boshnjakëve ku mbetën të vrarë 8300 persona. Mbi 1.000 persona nga Srebrenica dhe komunat përreth vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.
Ngjarja e rëndë është quajtur gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007. Para gjykatave të ndryshme, deri më tani më shumë se 50 persona janë dënuar me rreth 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë, mes të cilëve, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiç.
