Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në pritjen zyrtare të krerëve të shteteve dhe qeverive nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të Samitit të NATO-s.
Kryeministri ka postuar në rrjetet sociale edhe pamje nga kjo pritje.
“Samiti i NATO-s, Ankara, Turqi – Përshëndetja zyrtare e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan”, shkruan Rama.
Në kuadër të samitit, kryeministri shqiptar zhvilloi edhe një takim kokë më kokë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë, sfidat me të cilat përballet Aleanca dhe kontributi i Shqipërisë në NATO.
Në fokus të samitit janë rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, forcimi i kapaciteteve të industrisë ushtarake, rritja e përgjegjësisë së vendeve evropiane për sigurinë e kontinentit, si dhe drejtimi i ardhshëm strategjik i Aleancës. Gjithashtu, liderët e vendeve anëtare po diskutojnë zhvillimet e fundit në Iran, marrëdhëniet transatlantike, praninë ushtarake amerikane në Evropë dhe udhërrëfyesin e ri të NATO-s për vitet në vijim.
Samiti i NATO-s, i organizuar për herë të parë nga Turqia pas 22 vitesh, liderët e 32 vendeve anëtare po zhvillojnë seancën kryesore të punimeve, ku pritet të merren vendime me rëndësi për forcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e investimeve ushtarake dhe përballimin e sfidave të reja të sigurisë globale.
