Bashkëpunëtorja e drejtësisë në dosjen “Veliaj”, Adela Kondakçiu ka paraqitur këtë të hënë konkluzionet e mbrojtjes në seancën gjyqësore.
Juristja ka pretenduar për pafajësi duke kundërshtuar kërkesën e SPAK për dënimin e saj dhe më pas pezullimin për shkak të statusit të bashkëpunëtores.
“Nuk kam bërë asgjë, nuk kam pasur pjesëmarrje, kam zbatuar urdhërat dhe nuk kam përfituar asgjë”, tha Kondakçiu në seancë përpara trupës së gjyqtarëve.
Prokuroria e Posaçme tha se Kondakçiu i ka qënduar atyre që ka thënë më herët, megjithatë u shpreh se janë pretendimet e saj.
Ndërsa mbrojtja ligjore e Kondakçiut tha se roli i saj ka qenë kryesisht teknik dhe jo vendimarrës, për këtë arsye i kërkoi gjykatës që të mos konsiderojë përgjegjëse klienten e saj për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave”.
“Ajo nuk ka asgjësuar dokumenta, nuk ka fshehur dokumente, nuk ka manipuluar servera, librat e shitjes dhe të blerjes, nuk ka penguar hetimit apo të ketë dhënë deklarime të rreme”, tha avokati mbrojtës në seancë.
Në seancën e kësaj të hënë, u bë vetëm mbrojtja e Kondakçiut pasi të tjerët kërkuan kohë të përgatisin mbrojtjen. Seanca e radhës u caktua në 23 korrik, ku do vijojnë konkluzionet përfundimtare avokatët e të pandehurve të tjerë.
