Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla iu kundërpërgjigj deputetëve të partive të vogla të opozitës gjatë seancës parlamentare, duke u kujtuar se nuk përfaqësojnë të gjithë popullin, për të folur në emër të qytetarëve.
Balla iu drejtua deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.
“Ti s’ke asnjë të drejtë, as politike, as morale, të flasësh në emër të popullit, sepse në këtë sallë ka një shumicë të caktuar nga vota e një viti më parë. Ndërkohë që ti je thjesht dhe vetëm aksidentalisht në këtë sallë, sepse ke ardhur për shkak të dorëheqjes së një deputeti tjetër. Ti ke ardhur hajdutçe në Parlament”, deklaroi Balla.
Duke iu referuar protestave të zhvilluara në Tiranë, Balla tha se në fillim ato kishin një kauzë të drejtë për mbrojtjen e mjedisit, por më pas u politizuan.
“Protesta, kur nisi, ishte diçka e bukur. U nis në emër të disa kërkesave që lidhen me mjedisin. Por prej ditës së parë e kam thënë se kur hynë Saliu, Gonja, Qorri apo të tjerë, flamingot fluturuan dhe ngelën sorrat”, u shpreh ai.
Në fund të replikës, Balla hodhi edhe akuza ndaj deputetit të partisë Mundësia, Agron Shehaj, duke kërkuar sqarime për shitjen e një apartamenti.
“Gone, sqaro si mund të shesë një njeri një apartament 151 metra katrorë për 15 milionë euro. Petët e byrekut po hapen. Flamingot janë një zog shumë i pastër dhe nuk rrinë me llumin, prandaj ikën nga ju. Llum”, deklaroi Balla.
Replika e plotë:
E para, ti s’ke asnjë të drejtë, as politike, as morale, të flasësh në emër të popullit, sepse të paktën në këtë sallë, në emër të popullit, ka një shumicë të caktuar nga vota e një viti më parë, ndërkohë që ti je thjesht dhe vetëm “aksidentalisht” në këtë sallë, sepse ke ardhur për shkak të dorëheqjes së një deputeti tjetër. Pra, ti ke ardhur hajdutëshe në parlament, ti.
Unë nuk tallem me protestën. Protesta, kur nisi, ishte diçka e bukur; e nisi në emër të disa kërkesave që lidhen për mjedisin, por prej ditës së parë e kam thënë dhe do vazhdoj ta them, nuk e di sa mirë i ndiqni statuset e mia të orës 7:00, transparencë është ajo, tregon se si kur hyri Saliu, hyri Gonja, hyri Qorri, apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote, edhe si puna e këtij tjetrit, edhe si puna e Gones, dhe po ju kthej përgjigje të dyve. Gone, përmes këtij tjetrit, sqaro se si mund të shesë një njeri një apartament 151 m2 për 15 milion euro. Kaq. Por petat e byrekut po hapen, siç u hapën edhe historitë e përfshirjes së lloj-lloj balte, lloj-lloj llumi. Dhe një gjë duhet ta dini: flamingot janë një zog shumë i pastër dhe nuk rrinë me llumin, prandaj ikën nga ju. Llum.
