Rama: Përgjigjja ime për “flamingot”

Më të fundit


Nga Edi Rama

Sot dua t’ju flas për çfarë pamë dhe çfarë dëgjuam gjatë muajit qershor, kur Bulevardi u mbush me njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, kategoritë shoqërore, moshat dhe kur një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë u bë simbol i vëmendjes më të madhe globale që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë brenda vetëm një muaji.

Përveç videos që sapo patë, tek e cila do të kthehem më tutje, kam sjellë sot me vete edhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, për tu analizuar, ndryshuar, në mënyrë që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre.

Ky i pari është një dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në procesin qeverisës. I dyti është një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt.

Po e nis me një episod që edhe mund ta keni dëgjuar. Qëlloipikërisht në një nga ditët e qershorit që një kryetar bashkie, shok yni, njeri që i rri në kokë punës edhe komunitetit, më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh që kishin dalë në protestë për një problem në lagjen e tyre, diku në një periferi të asaj bashkie.

“I kam gjetur në llumë”, – tha. “Nuk kishin rrugë, nuk kishin trotuare. Për ndriçim s’bëhet fjalë. Vetëm gropa, ferra, plehra”, – tha. “Me trotuar, me drita, me pemë, u bëra kopsht, u vura dhe stola, por janë mosmirënjohës.”

Ai, shokë dhe kolegë, të dashur, miq, jemi “ne” të gjithë, se secili prej nesh e ka menduar, qoftë dhe njëherë atë fjalë të keqe, kur i ka ardhur shpirti majë të hundës në marrëdhëniet e punës me popullin, qoftë me dikë, qoftë me diçka, shpesh me disa, kam menduar që janë mosmirënjohës. Pikërisht kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet sepse pikërisht në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria.

Prandaj, dua që t’ua them unë që në fillim, duke shfrytëzuar këtë rast, drejt e në sy atyre që protestuan ndaj kryetarit të bashkisë, atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje apo me zë, vetëm apo me të tjerë, kudo nëpër Shqipëri apo jashtë Shqipërisë, jo vetëm gjatë qershorit, por qysh pas zgjedhjeve të qershorit të kaluar: Ju nuk jeni mosmirënjohës, ju jeni matës i ri i standardeve tona.

Ju, atje në periferinë e një bashkie, nuk protestuat kundër atyre që kryebashkiaku kishte bërë për ju, as kundër atij vetë. Ju që mbushët bulevardin dhe rrjetet sociale me protestën tuaj, nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve të para. Dhe këtu po ndaj pak posaçërisht ata jo të paktë që ishin votues, mbështetës apo dhe anëtarë të Partisë Socialiste, por dhe ata që gjatë ditës ishin në punën e shtetit dhe mbrëmje shkonin në protestë.

Ata nuk dolën në bulevardin e flamingove për të mohuar transformimin e Shqipërisë, për të sulmuar qeverinë apo për t’ju bashkuar këngës “Rama, jepe dorëheqjen”.

Ata që votuan për ne në qershorin e shkuar dolën dhe u bashkuan me të tjerët, edhe kur protesta drejtohej kundër meje, sepse forca e saj përthithëse ishte më imponuese mbi ta sesa figura ime.

Ata të administratës, ku plot mund të mos kenë votuar për ne, dolën dhe ata me të tjerët, sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton me hijen e së vjetrës, kur njerëzit flakeshin nga puna e shtetit, me farë dhe me fis, pse shkonin në një takim tonin në opozitë, – se të shkonin në protestë kundër qeverisë, as që bëhej fjalë.

Të gjithë bashkë, ata qytetarë u mblodhën aq të shumtë aty, kur sorrat dhe korbat nuk e kishin nxjerrë ende kokën, sepse i çoi një nevojë e thellë, një nevojë e brendshme për të përcjellë një mesazh më të fortë sesa përkatësia e tyre ndaj një partie apo sesa ngjyra e qeverisë për të cilën ata mund të kenë votuar.

Shija kontaminuese e lirisë së asaj proteste dhe nevoja për t’u bashkuar me atë rrjedhë të pazakonshme njerëzish për Tiranën, duke dalë nga rrugicat e rutinës së përditshme dhe duke ushqyer celularët me energji të rrallë instagramike, një energji e mahnitshme, besoj, ishin më të fuqishme sesa i gjithë arsenali ynë i fakteve kundër gënjeshtrave, shpifjeve dhe akuzave lidhur me projektin e Zvërnecit.

Prandaj, mësimi i parë që dua të ndaj me ju është: faktet tona nuk mjaftojnë më.

Sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht, njerëzit nuk jetojnë më as me kënaqësinë e ndryshimeve që ndodhin, as me inkurajimin nga gjërat që ndërtohen, siç ndodhte deri dje, kur prisnin me besim që, pas rrugës, shkollës, lulishtes që u ndërtuan në lagjen tjetër, t’i vinte radha rrugës, shkollës, lulishtes, lagjes së tyre.

Ata, sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë tona për t’iu përgjigjur. Dhe në një Shqipëri që zhvillohet me ritme të reja, ata e përjetojnë zhvillimin si një tension mes asaj që shohin dhe dëgjojnë dhe asaj që kanë, herë si burim pikëpyetjesh për çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë, si ndjenjë pasigurie për pjesën e tyre në një ekonomi që rritet shpejt, por bashkë me koston e jetesës së tyre.

Me fjalë të tjera shokë dhe shoqe nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, arritje, integrime duke treguar çfarë bëmë deri këtu, por duhet të qeverisim në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarit të sotëm sepse zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më aty ku ishin deri dje, tek çfarë ndryshon në territor dhe nuk kanë fare më lidhje me statistikat ekonomike sado pozitive qofshin. Ato janë ankoruar mu te pritshmëritë tyre.

Prandaj dhe bulevardi i flamingove duhet parë, jo si një protestë, por si një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara, duke na sfiduar të shohim vetveten dhe të verifikojmë seriozisht nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për ta qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re, të cilën në radhë të parë dhe medoemos duhet ta kuptojmë ne të parët në të gjithë përmasën e saj. 

Unë vetë, në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është epoka e mungesave, kur një rrugë e re ishte fitore kolektive, ku një shkollë e re ishte festë e përbashkët, një lulishte e re pritej me duartrokitje dhe ndezja e dritave në lagje përcillej me bekime. Në epokën e mungesave shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë të rrënimit dhe poshtërimit dhe i gëzohen çdo ndryshimi si fëmija një dhurate. Toleranca e tyre ndaj atyre gjerave që mungojnë është shumë e madhe, deviza e asaj epoke është “ka edhe më keq”.

Epoka e hapur është epoka e pritshmërive ku rruga e re është standard, jo fitore, shkolla e re është borxh që kthehet me vonesë, jo arsye për të festuar. Çdo shërbim i mirë merret i mirëqenë dhe asnjë mungese shërbimi nuk durohet më dot si deri në mbylljen e epokës së mëparshme. Shoqëria as nuk e çon më nëpër mend nëse ka dhe më keq. Toleranca e saj ndaj çka nuk shkon, vjen duke u zeruar sepse deviza e kësaj epoke është “ka edhe më mirë”.

Alexis de Tocqueville një ndër studiuesit më të mprehtë të demokracisë dhe ndryshimit shoqëror na ka lënë një paralajmërim me shkrim tamam për këtë fazë ku kemi hyrë. Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen pikërisht, kur jo ka nisur t’i ndryshojë gjërat dhe shembujt e ndryshimit që ne kemi sjellë në këtë vend janë të panumërt në çdo drejtim, ndërkohë që rreziku për të cilin ai shkruan është tanimë fare i lexueshëm.

Për 100 e kusur vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar dhe aq më pak gjykuar në mënyrë të pavarur një i vetëm zyrtar i lartë, një, 100 e ca vjet. As një! Ndërsa korrupsioni ishte pranuar nga të gjithë si të ishte fataliteti i një fatkeqësie kronike natyrore. Më kujtohet se kur njerëzit e mbështesnin edhe me dorën e djathtë dhe me dorën e majtë reformën në drejtësi, duke kërkuar vettingun si besimtarët që kërkojnë shpëtimtarin prapëseprapë pyetjes nëse besonin se ata do shihnin një ditë zyrtarë të lartë përpara drejtësisë i përgjigjeshin masivisht: jo.

Reforma jonë në drejtësi e ngriti luftën ndaj korrupsionit në nivele që deri dje, as nuk imagjinoheshin. Monumenti i pandëshkueshmerisë ra, siç deri dje as mund të imagjinohej, por ky fakt nuk mjafton fare që njerëzit t’i gëzohen kësaj arritje historike, përkundrazi, ky fakt del dhe tepron që ata të jenë të pakënaqur pse nuk bëhet më shumë. 

Për 30 vjet shqiptarët ndenjen në radha kilometrike për të marrë shërbimet më elementare duke pritur në shi, duke pritur në diell një dokument të rëndomtë, certifikatë lindjeje,  duke u shtyrë për të paguar dritat që mezi vinin apo duke ardhur nga jashtë për të kaluar gjysmën e pushimeve nëpër sportele që ngjanin si ato dyert e urbanit që futet gjithë dynjaja në kohën kur akoma ishin turnet e kombinatit të tekstileve por e kishin pranuar atë realitet, sikur të ishte një trashëgimi e patundshme.

Sot 95% e shërbimeve publike në Shqipëri merren nga celulari, falas dhe merren dhe nga çdo pikë e botës, por ky fakt nuk mjafton fare, që njerëzit t’i tolerojnë më lehtë shërbimet që ende çalojnë. Përkundrazi, del dhe tepron që toleranca e tyre të jetë thuajse zero. 

Nuk e di a e dëgjuat kur tregova një ditë rastin e së ëmës së një shokut tim. Gjyshe 80 e ca vjeçare. Edhe ajo doli në protestë. Jo për Zvërnecin, jo për ligjin e zonave të mbrojtura, as për bio diversitetin, doli ngaqë sa herë i duhej të vizitohej në poliklinikë për një sëmundje kronike, ngrihej pa zbardhur dita bashkë me të moshuar të tjerë për të zënë radhën pasi mjeku në atë poliklinikë shkonte vonë dhe rrinte dy, tre orë. 

Ne, mund t’i tregojmë tani asaj gjysheje sa spitale kemi ndërtuar, sa pajisje kemi blerë, si ka ndryshuar si nata me ditën sistemi ynë shëndetësor krahasimisht me kohët kur morëm detyrën. Të gjitha këto dhe gjithçka mund t’i numërojmë asaj për punët e panumërta që ne kemi bërë për shëndetësinë, janë fakte si drita e diellit, por fakti i saj është përvoja e asaj radhës në poliklinikë kur dielli s’ka dalë akoma.

Dhe kur faktet tona përplasen me përvojën e gjyshes ne nuk mund t’i kërkojmë asaj të ndryshojë përvojën. Duhet të ndryshojmë ne, që zëri i saj të dëgjohet, halli i saj të qahet, përvoja e saj të ndryshojë dhe ajo të shohë që shteti nuk nis dhe nuk mbaron tek tabiati i mbrapshtë i një mjeku, përndryshe të gjitha ndryshimet që kemi bërë për shëndetësinë do të mbeten aty, fakt i pamohueshëm. Po ne nuk do të jemi më këtu, nëse vazhdojmë të besojmë se mjaftojnë investimet dhe faktet e përparimit që njerëzit të vazhdojnë ta investojnë besimin e tyre tek ne. 

Pa ndryshuar diçka domethënëse në cilësisë e përvojës së tyre me shtetin. Përsëri, këtu na vjen në ndihmë Tocqueville, abuzimet që zhduken e bëjnë më të padurueshme peshën e abuzimeve që mbeten.

Kur fryma e përparimit bëhet e qëndrueshme dhe zhvillimi i pandalshëm, pritshmëritë e qytetarëve nuk ulen po rriten dhe rriten më shpejt se shpejtësia e ndryshimit. Asnjë sukses nuk e ul kërkesën, vetëm e rrit, me këtë sy duhet parë dhe video që ju shfaqa në hyrje të kësaj fjale.

Kur ne morëm detyrën, pyjet priteshin si të ishin nën agresionin e një ushtrie alienësh në formë sharrash elektrike dhe kafshët vriteshin për epshet shtazarake të gjahtarëve të huaj dhe shqiptar. 50 mijë “vrasës” që hynin me çifte pyll më pyll e lagunë më lagunë, sikur Shqipëria të ishte një rezervat jashtë hartës së qytetërimit, ndërsa për pirgjet me kufoma shpendësh lagunave, që pastaj shiteshin nëpër restorante, shkruante ndonjë revistë ndërkombëtare e natyrës. Po meazallah se ngrihej ndonjë zë që të dëgjohej përtej ndonjë kronike televizive, para lajmeve për motin.

Në një vend ku shoqëria vuante mungesat e veta të mëdha dhe ku vritej statistikisht, një njeri në tre ditë, nuk kishte se të kishte ndonjë pritshmëri optimiste për jetën e kafshëve.

Në një dekadë, ne kemi bërë për florën dhe faunën e Shqipërisë një përmbysje historike të vizionit, të qasjes, të administrimit, me rezultate të pamohueshme. 

Bëmë ligjin e parë të integruar me standardet e Bashkimit Europian për zonat e mbrojtura dhe në këtë dekadë zgjeruam në mënyrë të ndjeshme, si asnjë vend tjetër në rajon, sipërfaqen e tyre, shtuam kategoritë e mbrojtjes dhe e kthyem ruajtjen e natyrës nga një thirrje sporadike, në një sistem administrimi.

Një parantezë këtu: ndryshimet e vitit 2024, le ta mbajë shënim kush e dëgjon. Në atë ligj u përdorën pa pushim dhe vazhdojnë, si benzinë për zjarrin e protestës nga individë me axhendat e tyre politike, përfshirë dhe disa eurodeputetë që, në rastin më të mirë, nuk e kanë lexuar fare çfarë kemi ndryshuar, ndërsa, në rastin më të keq, kanë dashur ta besojnë rolin e viktimave të imperializmit amerikan.

Por e vërteta është se ato ndryshime janë bërë në përputhje me direktivën europiane dhe fatmirësisht, nuk është këtu fjala ime kundër fjalës së atyre që mendojnë ndryshe, po ka një proces, në zbatim të kalendarit të negociatave, ku do skanohen një për një, me Komisionin Europian, për ta përputhur krejt atë ligj 100% me direktivën e BE-së, edhe ato ndryshime. Kështu që ky konflikt i stisur do zgjidhet për bukuri në rrugën e negociatave, ku nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit.

Tani, le të ngrejë dorën një i vetëm këtu, në këtë sallë, jashtë mureve të kësaj salle, kudo në Shqipëri apo jashtë kufijve të Shqipërisë, dhe të thotë: “Po, unë e kisha imagjinuar, në kohën e koreve shurdhuese të sharrave elektrike dhe atyre shkulmuese të çifteve shfarosëse, se do vinte një ditë kur, po në të njëjtin bulevard ku, në atë kohë sharrash dhe çiftesh, protestuesit vriteshin si shpendët e lagunave, me plumba nga dritaret e Kryeministrisë, do vërshonte një protestë masive qytetare për fatin e biodiversitetit të një lagune të vendit.”

Por ja që, nëse do ta shtrëngonim me zor dikë që t’i thonim: “Po mirë, po dakord, parafytyroje, kur mund të vijë ajo ditë?”, nuk ka shans që të thoshte se ajo ditë do të vinte kaq shpejt dhe Shqipëria, ku, deri dje natyra dhe popullsia e specieve të saj ishte preja e pambrojtur e njeriut të lëshuar nga çdo zinxhir etik, moral dhe ligjor, në raport me nënën natyrë, u bë vendi i një proteste popullore që mori si shkak një zog dhe një lagunë. Jo vetëm kaq, por për ta mbrojtur zogun dhe lagunën nga unë dhe nga ju, që biodiversitetit i kemi kthyer përkushtimin e ekzekutivit dhe të legjislativit, me rezultate aspak modeste.

Mosmirënjohje? Në asnjë mënyrë, jo! Edhe këtu çelësin na e jep ai që e kuptoi shumë herët dhe shumë më qartë se shumë të tjerë. Tocqueville, prapë: pakënaqësia nuk rritet thjesht në një realitet ku njerëzit e kanë humbur shpresën, por rritet, mbi të gjitha, aty ku shpresa është rritur më shpejt se realiteti sepse, kur një shoqëri bindet nga vetë fakti se ndryshimi po ndodh, duke e prekur me sy që ndryshimi është i mundur, çdo gjë që ende nuk ka ndryshuar i duket e padurueshme.

Bulevardi i flamingove është prova më shembullore se shqiptarët nuk e krahasojnë më Shqipërinë me vendin e mungesave, nga ku ne të gjithë së bashku u nisëm me bekimin e tyre, po me vendin e mundësive ku ata mezi presin të mbërrijnë.

Prandaj, nuk na vlerësojnë më vetëm për çfarë kemi ndryshuar. Madje, sikur duan ta harrojnë edhe atë që e mbajnë mend akoma, sepse janë të përqendruar të na gjykojnë gjithnjë dhe me më pak mëshirë për gjithçka që, pikërisht sepse panë sa shumë mund të ndryshojë, nuk pranojnë dot të mbetet siç ishte.

Prandaj, shokë dhe shoqe, 

Udhëkryqi për të cilin kam folur edhe më parë, po as jam kuptuar si duhet, as kam qenë në gjendje ta perceptoj sa duhet përpara se ta shikoja veten tek pasqyra e bulevardit të flamingove, është ky: “Ne e nxorëm Shqipërinë nga epoka e mungesave, ne dhe askush tjetër. Prandaj sot përballemi me një popull që nuk e mat më Shqipërinë me mungesat e saj, po me pritshmëritë e veta. Një popull që nuk na vlerëson më sa do të donim ne për gjithçka kemi bërë deri këtu, po na kërkon llogari më shumë sesa do donim ne për gjithçka që mbetet për t’u bërë. Një popull që bezdiset kur i tregojmë nga sa poshtë jemi nisur, për t’u ngjitur deri këtu dhe që na tregon se sa lart do të jetë, pa pritur kohën që duhet për t’u ngjitur me ne ose pa ne. Dhe ka të drejtë. Pikë. Ka të drejtë!

Kush përpiqet ta zvogëlojë apo ta relativizojë përmasën e kësaj të drejte që na e tregoi bulevardi i flamingove, do zvogëlohet dhe do relativizohet deri në irrelevancë. Madje, madje, sa më i madh dhe i fortë të jesh përballë kësaj të drejte, aq më në rrezik je, nëse nuk e kupton se kjo e drejtë është më e madhe dhe më e fortë se ti, qofsh dhe vetë Partia Socialiste apo u quajtsh edhe Edi Rama po deshe.

Tre mandate me radhë ne folëm me gjuhën e fakteve, sa rrugë,sa shkolla, sa spitale, sa investime sa turistë sa rritje ekonomike. Faktet janë dhe do të mbeten aty, kokëfortësisht dëshmitare  për ne qe e transformuam këtë vend deri këtu fatkeqësisht nga një realitet që bënte lajm vetëm për keq në një shtet në gjunjë, që nuk kishe as drita se gjysma paguante për gjysmën tjetër nga një emër të përbuzur të shpërfillur ndërkombëtarisht në një destinacion të dëshiruar me një flamur ndërkombtarisht të respektuar. Por kjo është histori, ne jemi aktualitet, kjo është histori.

Në pasqyrën e bulevardit të flamingove unë pashë një të vërtetë tronditëse që asnjë statistike nuk e tregon, por që asnjë provën nuk e rrëzon.

Ne, lart kishim fakte, njerëzit poshtë kishin përjetimin. Fakti ynë ishte se investimi i Zvërnecit është tokë private, përjetimi i tyre ishte se toka e shtetit po i shitej të huajve. Fakti ynë ishte se projekti  është ende sot që flasim në duart e një skuadre arkitektësh, inxhinierësh mjedisorë, gjeologë dhe hidrologë ndër më të mirët në botë, përjetimi i tyre ishte se ndërtimi kishte nisur dhe duhej anuluar. Faktet tona thoshin se ne kishim me vete të vërtetën, por përjetimi i tyre ishte se e vërteta ishte e gjitha në anën e tyre, pa diskutim në atë protestë pati ndërhyrje të huaj brutale manipulime të panumërta, lajme të rreme, video të deformuara dhe plot aktorë të vënë me qëllime nga më të ndryshmet në funksion të shumëfishimit të zemërimit. 

Edhe këto, janë fakte dhe ishin pjesë e rëndësishme e protestës. 

Ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme për ta kuptuar atë protestë në çdo dimension, por asnjë prej tyre dhe as të gjitha bashkë nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që e ktheu bulevardin në hendek, në hendekun më të dukshëm të mundshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve. Përgjigja për themelin e atij hendeku nuk  duhet kërkuar te ato pjesët e bashkëngjitura të protestës, por duhet gjetur te pritshmëritë e rritura të njerëzve dhe konflikti i tyre me përvojën e përditshme.

Duam ne, s’duam ne, njerëzit presin përditë dhe më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë sidomos pastaj ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën që si mijëra e mijëra pika të mbledhura lart e poshtë  derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard. 

Ai hendek nuk u hap për të qëndruar ashtu, por për t’u mbyllur dhe mbyllja e tij nuk bëhet dot as duke bërë sikur ai u mbyll vetë, meqë bulevardi u zbraz nga flamingot dhe aty mbetën  vetëm puplat e ditëzinjve dhe vezët e punëzinjve, as duke u kapur thjesht e më  fort pas fakteve dhe duke menduar ne, se përjetimi i popullit do të ndryshojë kur ne t’ia përsërisim faktet tona edhe 100 herë të tjera,  as duke bërë thjesht ca lëvizje njerëzish dhe duke bindur veten se populli do të bindet kur të shijojë veprën aty, ku sot ai shikon “atdheun e nxjerrë ne shitje”. 

Asnjë nga këto, as të tëra bashkë nuk mjaftojnë dot për ta mbyllur atë hendek dhe për ta kuptuar deri në fund atë hendek. Harrojini faktet tona dhe fokusohuni te përjetimi i njerëzve sepse kur midis faktit tonë dhe përjetimit të njeriut të zakonshëm hapet një hendek i atillë, atë e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tij do realizohen dhe kur besimi për këtë arsye ka rënë edhe fakti më kokëfortë fillon duket si gënjeshtër, por më keq, më zi edhe gënjeshtra më e madhe fillon duket si vërtetë.

Patjetër që, ajo protestë e thashë nuk mund të kuptohet pa renë e mbingarkuar të të dhënave digjitale mbi bulevardin e flamingove, e cila mblodhi dhe lëshoi një pafundësi sinjalesh në të gjitha anët e globit sepse Zvërneci nuk mbante vetëm peshën e një investimi të madh, të një lagune të ndjeshme, pikëpyetjeve mbi pronën, të një vendimmarrje të debatueshme, të cilat krijuan patjetër një forcë magnetike mbi planetin tokë pas viralitetit të një videoje, ku brishtësia e individit që proteston përplaset me gardhin e lartë me tela me gjemba, si të ishte një kufi i pakapërcyeshëm mes jetës së tij dhe një rruge të madhe zhvillimi që e ka flakur atë jashtë shtratit të saj.

Mbi Zvërnecin qëndronte dhe hija e emrit më polarizues të politikës dhe medias botërore përderisa në qendër të projektit ishte dhëndri dhe e bija e tij. Pa atë lidhje protestat do të ishte në rastin më të mirë një çështje shqiptare, jashtë vëmendjes së dynjasë, por falë asaj lidhjeje, ajo u bë menjëherë një legjendë globale, ku shumëkush ndër fansat e huaj të protestës përfshirë dhe një senator mitik të Shteteve të Bashkuara do ta shikonte Shqipërinë si shëmbëlltyrën guximtare të një Davidi të vogël që u ngrit dhe u rebelua ndaj Goliathit të plotfuqishëm duke bërë thirrje që bota mbarë ta merrte nga Shqipëria mësimin dhe të ngrihej në atë revolucionin e madh dhe të shumëpritur të ish proletareve. Ky është fakti i kohës së kanaleve sociale, ku noton sot bota. Zvërneci dha videon revoltuese,  flamingoja dha simbolin magjepsëses, hija e vjehrrit më të famshëm në botë dha magnetin global dhe algoritmi i yshtur dhe nga ustallarë të ndërhyrjes në punët e vendeve të tjera bëri pjesën tjetër. Me një shkrepëse të ndezur pranë pyllit me pisha në Nartë shpërndaubrenda pak orësh si zjarr marramendës anembanë botës.

 Zelli i kundërshtarëve të gjithandejshëm për të luftuar me vjehrrin e madh në çdo çast, për çdo gjë dhe kudo qoftë e ktheu në skenë identifikimi me qindra miliona njerëz në disa kontinente bulevardin e transformuar në hendek. Ama prapë shkaku i hendekut ishim ne dhe zemra e protestës ishin njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Prandaj, përgjigja për ta duhet të jetë e jona dhe jo e sharlatanëve, ekstremistëve apo çdo dështaku publik që në këto raste gjenden gjithmonë gati me receta çudibërëse për popullin të cilat shkruhen vetëm me një parim, “o burra të rrëzohet gjithçka, të rregullohet çdo gjë  dhe unë të kap diçka”.

Ata kishin nevojë për plagën, por nuk e krijuan ata protestën, e rrëmbyen dhe vazhduan ta mishërojnë si llumi që dekanton pasi thahet prurja e ujit të rrjedhshëm. Tani vazhdojnë të kruajnë plagën me nervozizëm, duke u mbledhur si pupla të zeza mbi bulevard apo rrotull Parlamentit pasi zemra e protestës ka ikur ka shtegtuar bashkë me famingot.

Ata nuk janë armiqtë e Shqipërisë, por bij të verbër të saj që në shumicën e tyre ecin pa ditur ku shkojnë dhe as nuk e kanë haberin se janë njëkohësisht “mishi për top” i armiqve dhe dashakëqijve të huaj të Shqipërisë, në radhë të parë, atyre shtetërorë, që lëshuan përmes resë digjitale breshërinë masive avatarësh në profile false, të cilat tanimë, i kemi të dokumentuar. 

Po çfarë interesi kanë ustallarët malinj në Shqipëri? Zero. As për qeverinë, as për opozitën, as për popullin, zero. Vetëm kaosin dhe rrënimin e besimit që shqiptarët të mos i besojnë më askujt, as shtetit, as medias, as drejtësisë, as parlamentit, as Europës, as njeri-tjetrit, sepse një vend pa besim është i pambrojtur dhe një demokraci pa besim është një “shesh për përshesh”. 

Fakti që, për herë të parë, Shqipëria përjetoi shijen e keqe të ndasisë fetare dhe të urrejtjes etnike, të cilat u manifestuan për turpin e të gjithëve ne, në rrugën e protestës ishte drejtpërdrejtë objektivi i operacionit të tyre, shenjëstrimi i kombit hebre, me një antisemitizëm  të panjohur për Shqipërinë deri në atë moment, që shkoi deri të shkulja e flamurit të ambasadës së Izraelit, edhe ajo e nxitur nga elementë të huaj që në atë rast ishin fizikisht rrotull dhe shfrytëzuan një tufë nga të verbrit vendor, ishte përdhunimi publik i kujtesës së shenjtë të atyre familjeve shqiptare me shumicë myslimane që i dhanë lavdi dhe nder përjetë Shqipërisë, duke marrë në mbrojtje hebrenjtë me jetën e tyre dhe duke i treguar Evropës së madhe të të pasurve dhe të fuqishmeve se një vend i vogël, i varfër dhe i dobët u bë busulla e mbetur morale e një kontinenti të tërë. 

Por, dhe këtu prapë duhet ta përsëris dhe të jem shumë i qartë, as ndërhyrja e aktorëve të huaj shtetërore as sponsorizimi marramendës i breshërive digjitale nga lobet e konkurrencës së industrisë mesdhetare të turizmit nuk e shpikën sëkëlldinë që i nxorën flamingot në bulevard. 

Ata pa diskutim e shfrytëzuan egërsisht atë sëkëlldi dhe u përpoqën shumë ta kthejnë në një zjarr të pakontrollueshëm. Pasojat mbi sezonin turistik dhe mbi ekonominë e familjeve që jetojnë me turizmin, i tregoi bilanci i fund qershorit, kur për herë të parë pas shumë vitesh dhe krejt në kundërtendencë me janar – majin që ishin zjarr në rritje, rritja stopoi, në shifrat e qershorit të kaluar aty-aty. 

Ama, dua të jem po kaq i troçtë, se duke i treguar shqiptarëve që po ndodhte kjo, asnjëherë nuk më shkoi mendja të akuzoja protestuesit e sinqertë si bashkëpunëtorë të vrasësve të Teheranit apo kukulla të tjetërkujt, që bashkë me Iranin u fut në mendjen e miletit përmes lloj-lloj postimesh ndjellakëqija dhe komentesh me gjuhë urrejtje, të cilat nuk i lexuan vetëm shqiptarët, po u lexuan kudo.

Sepse përqindja më e madhe e përmbajtjes dixhitale u prodhua në këto vende, e dokumentuar. As më ka shkuar dhe as më shkon ndërmend se mund të jetë shpallja e protestuesve si armiq dhe e kritikëve si agjentë. Reagimi im ndaj kësaj risie negative që na i futi armiqtë brenda në shtëpi, jo përmes bombardimit kibernetik si disa vjet më parë, por përmes përmbytjes së kanaleve sociale të cilin deri në qershor e kishim dëgjuar si fenomen nga historitë e pabesueshme të vendeve të tjera demokratike dhe përtej rritjes së domosdoshme të kapaciteteve teknologjike mbrojtëse, ne duhet ta shtrijmë reagimin dhe për këtë tek adresimi i atij hendekut duke dëgjuar më herët, shpjeguar më qartë dhe mbi të gjitha duke e bërë këtë me empati për njerëzit.

Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate, e kam thënë në disa takime të brendshme me ju, ajo fitore sa ç’është bekim është dhe mallkim. Bekim sepse na dha forcën për të vazhduar transformimin me besimin e madh të popullit. Mallkim, jo vetëm sepse pas atij besimi të madh që na dhanë shqiptarët e shohin tek ne shkakun e çdo gjëje që nuk shkon, por dhe sepse fitoret e mëdha si ajo e qershorit të shkuar e kthejnë në mbipeshë të përjetuar keq çdo përplasje mes realitetit dhe pritshmërisë së qytetarit. Dhe kjo, sado e pamëshirshme t’ju duket është rrjedhojë e faktit që ne vetë e bëmë Shqipërinë një vend ku tanimë krahasimet nuk i bën më thuajse askush me dje, po të gjithë i bëjnë me Europën e zhvilluar.

Por ne, jo vetëm nuk kemi drejtë të ankohemi pse po gjykohemi kështu, po duhet pranojmë dhe atë që dhëmb edhe më shumë. Faktet tona shpesh nuk dëgjohen edhe sepse përjetohen si arrogancë. Jo se janë të rreme, as vetëm sepse vijnë pa dëgjim përpara, pa shpjegim të mjaftueshëm më pas, po sepse dhe kur jepen, jepen pa empati. Një e vërtetë e thënë me arrogancë mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati. Dhe që të kuptohemi mirë se për çfarë po flas, dëgjoni një tjetër nga një duzinë historish që unë i kam ndarë veç, i kam shënuar duke parë pasqyrën e bulevardit të flamingove. Për bujqësinë ne kemi bërë sa nuk ishte bërë kurrë. E thonë statistikat e prodhimit, të eksporteve, të mbështetes për fermerët. Po një djalë që akoma sot unë nuk e njoh për fytyrë, po e quaj Arbër, pasi s’kam leje t’i përdor emrin, nuk e nxori bulevard mospajtimi me statistikat, as kundërshtia me faktet tona kokëforta në mbështetje të bujqësisë. E nxori përjetimi, përvoja e mungesës së empatisë në marrëdhënien e tij personale me shtetin. 

Ai është një fermer nga një fshat i Lushnjës, ka tetë vjet që merret me bujqësi. E nisi me një hektar manaferra, krijoi një shoqëri bashkëpunimi bujqësor. Kaloi te kajsitë e një varieteti të patentuar dhe sot ka 12 hektarë me kajsi. Ka lidhur marrëveshje me një kompani të madhe italiane dhe ka përgatitur një plan biznesi prej 1.5 milion eurosh për të investuar në 80 hektar tokë publike në Vlorë, plan të cilin e ka çuar në Ministrinë e Bujqësisë. Tre vjet priti përgjigjen, Jo tokën, përgjigjen. As po, as jo. As bëhet, as nuk bëhet. Rri prit.

Në mesazhin e tij, Arbëri shkruajti, citoj: “Nuk e di nëse jam sorrë, flamingo apo korb. Jam një katunar që e dua sadopak këtë vend.”

Unë fola me të po në atë pasqyrën e bulevardit të flamingove ishin plot si ai . Unë pashë se sa e padurueshme është bërë për njerëzit mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit, arroganca e zyrtarëve pa gjak, që u flasin sikur të kenë karrige në vend të fytyrës, ndërkohë që fytyrën e kanë parkuar në vend të prapanicës. Dhe këtu s’po flas fare, hiç, për ata që u kërkojnë dhe lekë, se pastaj është fjalim më vete ky.

Dua ta dëgjojnë të gjithë “Arbëri”-t e atij bulevardi se nuk janë as sorra, as korba, ata janë flamingo. Sepse flamingo nuk është kush na jep të drejtë gjithnjë, po kushdo që na kujton të drejtën që ka për të na kërkuar llogari.

Flamingot janë revolta e brendshme, paqësore e qytetarit, sorrat janë balta e pështirë e sharlatanit.

Flamingot janë kërkesa legjitime e llogarisë qytetare, korbat janë jargët e urrejtjes ekstremiste.

Flamingot janë njerëz e krijimtarisë, të punës, djersës, që kërkojnë më shumë nga ky vend dhe më shumë vend në zhvillimin e këtij vendi.

Sorrat dhe korbat janë dështakzemrakët politikë dhe mediatikë, kemi njohur nga këta, se kemi kontribuar dhe ne për atë tufë, njerëzit e mllefeve dhe hakmarrjeve, që nuk duan të ndërtojnë asgjë, po vetëm që gjithçka të rrëzohet.

Flamingot na treguan plagën që ta mbyllim ne, sorrat dhe korbat e kruajnë plagën që ta mbajnë sa më gjatë hapur.

Flamingot kërkojnë provën e empatisë sonë, korbat kërkojnë gjak nga çdo provë e punës dhe e mundit tonë.

Flamingot na treguan dhe unë po ju rikthej tek historitë e mia me një histori që besoj e keni parë të gjithë dje. Atë nënën, atë nënën me fëmijën me spektër autik, të cilën korbat e kishin marrë me vete te Parlamenti për ta kthyer në viktimën e policisë, që ishte aty për të mbrojtur deputetët nga të verbrit e dhunshëm të Shqipërisë.

Ne sapo e kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë. E kemi rritur mbështetjen dhe për nënat e tyre, por ky është fakti ynë, thjesht. Ndërsa përjetimi i asaj nëne është krejt tjetër. Ajo mund të mos jetë fare e informuar ose dhe mund të jetë e informuar për dyfishimin e mbështetjes për djalin, por ajo nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë, aty, në atë fundin e atij hendekut mes faktit tonë dhe përjetimit të vetmisë së saj dëshpëruese dhe pikërisht aty, në fund të hendekut, e futën sorrat dhe korbat dorën e solidaritetit të tyre hipokrit, për ta marrë me vete te Parlamenti dhe për ta abuzuar atë nënë, bashkë me fëmijën autik, me të njëjtin manual që përdorin edhe terroristët, kur abuzojnë gratë dhe fëmijët, duke i përdorur si mburojë, teksa sulmonin me maska Policinë e Shtetit.

Dhe pastaj e vunë dhe përpara kamerës. E përdhunuan dhe e nxorën në mexhelis për t’i qarë hallin dhe i kthyen lotët e saj në breshër përmes algoritmit. Pastaj e lanë në fatin e saj dhe u nisën për te mikrofoni në bulevard. Njësoj si skuthat e zinj që i kemi parë në përdorimin e këtij manuali, që çojnë të tjerët “mish për top” dhe pastaj kërkojnë solidaritet për të shkretët njerëz, duke mbajtur fjalime dhe duke kërkuar që Zoti të dënojë terroristët në pushtet, në emër të viktimave të shtetit policor.

Të dashur deputetë dhe ministra, flamingoja mund të dalë kundër nesh në protestë dhe të jetë aleati ynë natyral i kësaj epoke të re. Sorrat mund të vijnë edhe rrotull nesh, edhe rrotull flamingove, po në fund, tek plaga e hapur, bashkë me korbat e kanë shpirtin.

Prandaj, vija e re ndarëse e kësaj epoke të re nuk kalon mes atyre që dolën dhe atyre që s’dolën në protestë, po kalon mes atyre që duan ta bëjnë Shqipërinë më të mirë edhe me ta dhe që Shqipëria të jetë më e mirë edhe për ta dhe atyre për të cilët Shqipëria është më e mira kur është e mirë vetëm për ta dhe bëhet menjëherë më e keqja kur ajo bëhet më e mirë pavarësisht nga ata.

Për Arbërin, fermerin e kthyer në flamingo, Shqipëria po u jepte të huajve atë që administrata shqiptare nuk denjonte as t’ia thoshte qartë nëse mund t’ia jepte ose jo atij. Një djali Shqipërie që po kërkonte prej tre vjetësh tokë për ta bërë më të mirë këtë vend edhe me punën e tij, duke e bërë vendin më të mirë edhe për familjen e tij.

Ai nuk e mbante më veten. I kishte plasur shpirti dhe shkruante nga protesta në mesazhin e tij: “Lekë për ryshfet unë nuk kam dhe as e kam çuar ndërmend, sepse edhe këto vonesa e dimë se për çfarë bëhen.”

Kur fola me të, i shpjegova situatën me procedurën, ndalimin që ne ia kemi bërë dhënies me qira të tokave të papunuara publike në bujqësi, pasi në vitet e para të qeverisjes sonë u dhanë qindra e mijëra hektarë të atilla dhe u kthyen në letra për lloj-lloj pazarxhinjsh, duke krijuar dhe konflikte me bujqit, por ç’e do. Këto fakte ai i dëgjoi pas tre vjetësh dhe unë u ndjeva si ai që s’thuhet kur ia shpjegoja. As morëm mundimin t’ia shpjegojmë si dhe sa duhet tre vjet dhe e lanë në ajër, madje krijuan dhe idenë poshtëruese që mbase duhet të paguante lekë për një gjë që s’bëhej. Dhe normal, përballë tre viteve me plan biznesi, një njeri që jeton me tokën, një njeri që numëron kajsitë në 12 hektarët e tij, një njeri që ka partner dhe ambicie, një njeri që mban mënjanë 1.5 milion euro, çdo shpjegim që ti mund t’i japësh pasi ai ka dalë në protestë nuk tingëllon si justifikim, tingëllon si një arrogancë përmes një përralle që ai e di, a e besoi, a s’e besoi në fund.

Po di që, pasi fola me të, kërkova me zë pak më të lartë se ky sot: “Pse nuk i i ke dhënë përgjigje atij djalit? Pse duhet ai të presë tre vjet vetëm për të mësuar që kjo kërkesa jote nuk bëhet, mor vëlla?”

Sepse halli nuk bëhet më i vogël kur nuk zgjidhet me një “jo”, po bëhet më poshtërues kur mbetet as “po”, as “jo”.

Pas ca orësh, vjen një mesazh me “screenshot” nga postimet e Arbërit në protestë, si për të thënë që “mos mërzitet shefi se ky tipi është kundër qeverisë, nuk u bë qameti qenka mërzitur ky”, dhe ja ku del i gjithë cullak, jo problemi që kanë flamingot me ne, por problemi që kemi ne me veten si bartës të atij besimi të mishëruar në 83 mandate.

Arbri nga Lushnja nuk është problemi ynë. Arbri nga Lushnja, është prova dhe sprova që ne kemi me veten tonë. Ky është një tjetër mësim shumë i shtrenjtë i bulevardit të flamengove dhe nga këto mësime lindi edhe ky dokumenti i parë që kam sot.

E kam titulluar me një emër shumë të vjetër dhe shumë të madh: “Besa”. E di që ky emër do të hapë debat, por e zgjodha edhe sepse ha debat. Asnjë fjalë tjetër të gjuhës sonë nuk gjeta që ta thotë më qartë çfarë kthese i duhet mandatit të katërt, që njerëzit e këtij vendi të mos i përjetojnë më vendimet tona si prerje në besë. Të mos ndihen më të padëgjuar, të painformuar dhe përveçse të padëgjuar e të painformuar, të papërfillur.

Po nuk do shtjelloj këtu dokumentin, larg qoftë, se është më shumë faqe se fjalimi, që, siç e shihni, është karakteristikisht jo i shkurtër.

Do ta merrni të gjithë me vete për ta shkoqitur qetësisht gjatë pushimeve, sepse është i hapur për, siç thashë, kontribute. Megjithëse e di që, përpara se të filloni ta lexoni, do të jetë hedhur nëpër kanalet sociale i mbuluar me pupla sorrash. “C’est la vie!”

Bashkë me dokumentin strategjik “Besa”, kam shkruar edhe një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë kthesën e domosdoshme. Atë nuk do ta merrni, sepse më parë dua ta diskutoj në një takim më të ngushtë me drejtuesit politikë dhe disa nga drejtuesit e komisioneve. Më pas do ta keni të gjithë në dispozicion, edhe atë.

Ne nuk kemi, miqtë e mi, asnjë luftë për të bërë me flamingot. Po kemi vetëm një aleancë, për të ndërtuar me shumë durim me ta. Beteja sot nuk është mes qeverisë dhe qytetarit që kërkon më shumë. Është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë, më të besueshme, më europiane në përvojën, në përjetimin, në eksperiencën e individit të zakonshëm në raport me shtetin dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të zemëruar, të përçarë dhe pa besim tek shteti, tek institucionet, tek rregullat e bashkëjetesës demokratike. Atyre që i patë edhe dje të grumbulluar si një grup i vogël sorrash te foltorja e Parlamentit edhe pse tani bulevardi i flamengove por edhe i sorrave bashkë i ka lënë si zogj korbi të kategorisë së dytë

Aleanca që na duhet nuk është një aleancë që ne të heshtim kritikën. Është një aleancë për ta mbrojtur kritikën nga përvetësimi i ekstremistëve për ta kthyer zemërimin në ndryshim, për ta kthyer pyetjen në provë dhe për ta kthyer protestën nga një çast përplasje në një test pjekurie të demokracisë tonë.

Ne nuk kemi, po Shqipërisë as nuk i duhen qytetarë që të na besojnë ne me sy mbyllur. Ne kemi nevojë për qytetarë që na masin me sy hapur dhe më lejoni ta mbyll me dy pyetjet që i pashë të shkruara në fund mbi pasqyrën e bulevardit të flamengove.

Ku po shkon Shqipëria me këtë zhvillim dhe ku jam unë njeriu i zakonshëm në rrugën e këtij zhvillimi?

Përgjigjen e pyetjes së parë do ta jap hap pas hapi. Puna e pandalshme për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, e cila, “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian pra nuk është një pikë e shtuar në hartën e Europës së Bashkuar, por është një mënyrë e re jetese që sapo ka nisur të marrë formë, me paga që afrohen me ato europiane, shërbime që maten me standarde europiane, drejtësi që funksionon njësoj për të gjithë, mundsi që mbajnë më shumë fëmijët tanë këtu dhe që kthejnë gjithmonë e më shumë ata që kanë ikur.

Ndërsa përgjigjen e pyetjes së dytë, pra ku jam unë njeriu i zakonshëm në rrugën e këtij zhvillimi, do ta kërkojmë bashkë me njerëzit duke nisur pikërisht nga kjo metodë: Besa. Ku qytetari nuk është spektator i zhvillimit, as pengesë e tij, por është bashkudhëtar dhe gjykatës njëkohësisht. Kur një investim pretendohet që i shërben interesit publik, ne duhet të provojmë çfarë pune krijon, për kë? Çfarë të ardhurash sjell, për kë? çfarë garanton për natyrën, për pronën dhe të drejtat dhe në fund si ndahet fitimi dhe jo vetëm duhet ta bëjmë këtë, por duhet ta bëjmë me empati. Zhvillimi që nuk provohet dot pa ndodhur, se i shërben njeriut, sado i rëndësishëm dhe i dobishëm të jetë, prodhon atë që pamë  në bulevard, të huajësimin e njeriut në raport me zhvillimin. Zhvillimi nuk bëhet mbi apo rreth qytetarit, por bëhet bashkë me të dhe për të. Kjo është ajo që përsëri na nxjerr, jo vetëm tek faktet, por tek empatia në radhë të parë.

Dhe në mbyllje, tre mandatet e para ju përgjigjën pa diskutim dhe këtë e kemi me certifikatë ne, se e kanë vulosur shqiptarët pyetjes nëse Shqipëria mund të ndryshonte. Përgjigja është dhënë dhe është e pakthyeshme. Mandati i katërt do t’i përgjigjet një pyetje më të vështirë. A mund të bëhet ky ndryshim i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i të gjithëve? Dhe duhet t’i përgjigjet kësaj pyetje me empati. Kjo është kthesa, nga transformimi i vendit te besueshmëria e transformimit; nga autoriteti që mjaftohet me pushtetin, te autoriteti që mbështetet te besimi; nga fjala e dhënë politikisht, te fjala e kontrollueshme institucionalisht.

Atyre njerëzve të zakonshëm që mbushën bulevardin dua t’i them një fjalë të fundit. Ju kam dëgjuar! Flamingot nuk i mban në lagunë as gardhi as dekreti. I mban vetëm uji i qetë. Kur uji trazohet, ngrihen, ikin dhe kthehen vetëm kur e gjejnë ujin ashtu siç e duan. Kështu është dhe besimi i një populli. Nuk vritet me një krisëm, largohet kur trazohet uji dhe nuk kthehet me thirrje, por vetëm kur gjen ujin miqësor.

Puna e mandatit të katërt është një dhe e vetme, të mbledhim ngado, nga të gjitha burimet, ujin e trazuar të besimit dhe ta bëjmë këtë me empati dhe flamingot do kthehen.

Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik.

“Besa” është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë.



Skip to toolbar