Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zgjeruar të Grupit Parlamentar Socialist, u ndal te përgjegjësia që sjell mbështetja e madhe elektorale dhe kërkoi reflektim nga shumica qeverisëse.
Rama tha se fitorja me 83 mandate në Kuvend është njëkohësisht një mbështetje e madhe, por edhe një përgjegjësi e lartë për Partinë Socialiste.
“Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate e kam thënë në disa takime të brendshme me ju: ajo fitore sa është bekim, është edhe mallkim. Mallkim sepse pas besimit të madh, shqiptarët shohin tek ne shkakun e çdo gjëje që nuk shkon”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se shumica qeverisëse nuk duhet të ankohet për kritikat e qytetarëve, por duhet t’i pranojë ato si pjesë të përgjegjësisë që vjen nga besimi i marrë në zgjedhje.
Rama nënvizoi se sfida e re e shumicës qeverisëse është të ruajë lidhjen me qytetarët dhe të kuptojë pritshmëritë e tyre në një fazë të re të zhvillimit të vendit.
“Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate e kam thënë në disa takime të brendshme me ju ajo fitore saç është bekim është edhe mallkim. Mallkim sepse pas besimit të madh, shqiptarët shohin tek ne shkakun e çdo gjëje që nuk shkon. Ne jo vetëm që nuk kemi të drejtë të ankohemi, por duhet të pranojmë edhe atë që dhemb edhe më shumë. Faktet tona shpesh edhe nuk dëgjohen sepse shpesh përjetohen si arrogancë. Sepse edhe kur jepen, jepen edhe pa empati. Një e vërtetë e thënë me arrogancë mund të humbasë përballë një gënjeshtre të thënë me empati”, tha Rama.
