Mbreti Harald V i Norvegjisë ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, pas disa ditësh trajtimi në spital për probleme të rënda shëndetësore.
Pallati Mbretëror në Oslo njoftoi se monarku ndërroi jetë në orën 06:35 të mëngjesit, në Spitalin Kombëtar të Norvegjisë.
Harald V ishte në fron që prej vitit 1991 dhe gjatë më shumë se tri dekadave u shndërrua në një prej figurave më të dashura të vendit. Ai do të mbahet mend për kontributin në modernizimin e monarkisë dhe afrimin e saj me shoqërinë.
Harald lindi më 21 shkurt 1937 pranë Oslos. Ishte vetëm tre vjeç kur Gjermania naziste pushtoi Norvegjinë dhe familja e tij u largua fillimisht drejt Suedisë, e më pas në Shtetet e Bashkuara.
Pas luftës u kthye në Norvegji, ku kreu shkollimin dhe shërbimin ushtarak. Në vitin 1957 u bë Princ i Kurorës, ndërsa më vonë studioi në Universitetin e Oksfordit.
Një prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tij ishte martesa me Sonja Haraldsen, vajzën e një biznesmeni. Lidhja u kundërshtua fillimisht nga familja mbretërore, por Harald këmbënguli dhe çifti u martua në vitin 1968.
Harald ishte gjithashtu një sportist i apasionuar dhe përfaqësoi Norvegjinë në tre Olimpiada në lundrim me vela.
Në javët e fundit ai po trajtohej për anemi hemolitike, një sëmundje e rrallë e gjakut, dhe ishte shtruar në spital që prej 17 gushtit.
Pas vdekjes së Harald V, froni norvegjez i kalon djalit të tij, Princit të Kurorës Haakon, i cili kishte ushtruar përkohësisht detyrat e regjentit gjatë hospitalizimit të të atit.
