Një email kërcënues që njoftonte për vendosje bombe ka mbërritur mëngjesin e sotëm në disa institucione në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Mesazhi, i dërguar nga një adresë ende e paidentifikuar, u është drejtuar gjykatave, bashkive, prokurorive dhe institucioneve të tjera publike.
Në Vlorë, mes institucioneve që kanë marrë mesazhin kanë qenë Gjykata, Bashkia, Prokuroria, Siptal si edhe disa institucione të tjera. Mesazhi është dërguar përmes një adrese emaili të huaj dhe përmbante paralajmërimin: “Kujdes, kemi vendosur bombë”. Pas marrjes së alarmit, në institucionet e prekura janë angazhuar shërbimet e specializuara. Njësia Speciale Operacionale e Policisë së Vlorës ka kryer kontrolle të imtësishme në ambientet e institucioneve, përfshirë edhe kontrollet për lëndë apo pajisje shpërthyese. Pas përfundimit të verifikimeve, nuk është konstatuar asnjë bombë apo objekt i dyshimtë. Policia ka verifikuar se bëhej fjalë për një alarm të rremë.
Një email kërcënues i është dërguar Bashkisë së Durrësit, ku pretendohej se në godinën e institucionit ishte vendosur një bombë. Në mesazh pretendohej gjithashtu se kërcënimi lidhej me Shtetin Islamik. Pas marrjes së emailit, Policia e Durrësit ka marrë menjëherë masat e nevojshme të sigurisë. Forcat e policisë kanë kryer kontrolle të imtësishme në godinën e bashkisë dhe në ambientet përreth. Burime nga policia thanë për ABC News se kontrollet kanë rezultuar negative. Sipas tyre, në godinën e bashkisë dhe pranë saj nuk është konstatuar asnjë bombë apo pako e dyshimtë. Situata është monitoruar nga strukturat e policisë gjatë gjithë ndërhyrjes. Paralelisht, autoritetet kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e kërcënimit. Po punohet edhe për identifik.
Alarm për bombë është dhënë paraditen e kësaj të enjteje në ambientet e Gjykatës së Lezhës. Pas alarmit, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, ndërsa personeli i gjykatës është evakuuar nga godina, për arsye sigurie. Mësohet se gjatë ditës në Gjykatën e Lezhës kanë qenë planifikuar disa seanca gjyqësore, përfshirë edhe seanca për vlerësimin e masave të sigurimit. I njëjti email i është dërguar edhe bashkisë Lezhë në adresën zyrtare
Në Shkodër ndonëse nuk ka patur një email kërcënuar policia ka marrë masat e nevojshme, duke kryer kontrolle në disa prej institucioneve.
E-maile kërcënuese për vendosjen e bombave janë dërguar edhe në adresat elektronike të disa institucioneve në qytetin e Fierit, mes tyre edhe Spitali Memorial. Si masë sigurie, forca të shumta policie janë vendosur pranë spitalit dhe institucioneve të tjera, ndërsa deri tani nuk është konstatuar asnjë lëndë eksplozive.
Mesazhi, i dërguar nga një adresë ende e paidentifikuar, u është drejtuar gjykatave, bashkive, prokurorive dhe institucioneve të tjera publike. Kërcënimi ka ardhur nga një adresë e paidentifikuar e postës elektronike, por dërguesi paraqitej si Shteti Islamik.
Pas kontrolleve të imtësishme nga shërbimet e specializuara, deri tani nuk është konstatuar asnjë bombë, lëndë shpërthyese apo objekt i dyshimtë. Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, ka nisur hetimet për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet.
