Banorët e një pallati në lagjen numër katër në Durrës e nisën të premten të alarmuar. Rreth orës nëntë të mëngjesit kur dolën nga shtëpitë, në rrugën pranë hyrjes së tyre, pas largimit të një automjeti të parkuar, gjetën një celular të lidhur me një objekt të dyshuar lëndë shpërthyese.
Menjëherë njoftuan policinë e cila shkoi në vendngjarje bashkë me specialistët xhenierë të cilët e patën të thjeshtë të neutralizonin objektin.
Pasi vendosën perimetrin e sigurisë për të mbrojtur kalimtarët u verifikua se celulari ishte I fikur dhe I shkëputur nga paketa e dyshuar eksploziv.
Ende nuk dihet nëse paketa ka qene e vendosur në makinë prej ku dyshohet të ketë rënë dhe është shkëputur nga telefoni pas lëvizjes apo është lënë aty si kërcënim për ndonjë prej banorëve të zonës.
Policia po heton për ngjarjen. Paketën e dërgoi për tu analizuar në laborator ndërkohë po kqyr kamerat e sigurisë për të mësuar rreth personit që e ka vendosur lëndën e dyshuar shpërthyese dhe objektivit të tij. Aktualisht nuk ka persona te shoqeruar per ngjarjen.
