Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një komunikim live me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, ku është ndalur te zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat përballet administrata shtetërore.
Rama tha se gjatë dekadës së fundit është ndërmarrë një “operacion i gjerë dhe i thellë”, por sipas tij, tashmë duhet të përballen tre plagë kryesore që ushqejnë njëra-tjetrën.
Sipas kryeministrit, problemi i parë lidhet me raportin mes qytetarit dhe shtetit, veçanërisht me situatat kur qytetari nuk e di se kur dhe kush duhet t’i përgjigjet për një problem apo shërbim.
“Në një dekadë kemi kryer operacion të gjerë dhe të thellë, sot ne duhet të ndeshemi me tre lagë që ushqejnë njëra tjetrën. Plaga e shtetit kur qytetari nuk di kur dhe kush duhet ti përgjigjet. Plaga e dytë është mungesa e memorie institucionale, premtohet por nuk mbahet një regjistër i plotë llogarish për atë që u bë, nuk u bë apo u vonua. Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit por shumë më tepër se kaq. Dhe kjo i kushton shtetit. E treta është plaga e derës që e shesh dhe mund ta prekësh te ndjenja shpesh e drejtë e çdo njeriu që për një shërbim njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji. “Pasqyra Albania”, prania Besnike, Besa dhe shkalla e meritës janë pjesë e pandashme të përpjekjes për të kuruar këto plagë.”, tha ai.
