Dhomat e Specializuara të Kosovës pritet të shpallin sot, 16 shtator, aktgjykimin në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Seanca për shpalljen e aktgjykimit është caktuar të nisë në orën 10:00 dhe pritet të zgjasë rreth dy orë. Vendimi vjen pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth tre vjet, gjatë të cilit në sallën e gjyqit u dëgjuan 134 dëshmitarë dhe u shqyrtuan mijëra materiale provuese.
Procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nisi në prill të vitit 2023. Pas përfundimit të paraqitjes së provave, në shkurt të këtij viti Prokuroria dhe ekipet e mbrojtjes paraqitën argumentet përmbyllëse, ndërsa katër të akuzuarit iu drejtuan për herë të fundit trupit gjykues.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë deklaruar vazhdimisht të pafajshëm dhe kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre. Prokuroria i akuzon ata për një sërë veprash penale, përfshirë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Sipas aktakuzës, veprat e pretenduara lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.
Gjatë deklaratës përmbyllëse, Hashim Thaçi tha se i vetmi kundërshtar i tij dhe i popullit të Kosovës gjatë luftës ishte regjimi i Slobodan Millosheviqit. Ai hodhi poshtë akuzat dhe tha se është e rëndë të përballet me pretendime të tilla për një periudhë në të cilën, sipas tij, nuk e dinte nëse do të mbijetonte nga dita në ditë.
Sakaq, në pritje të vendimit, mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së kanë marshuar në Hagë duke kërkuar lirimin e tyre. Gazetarja Jonida Omeri teksa përcjell pamjet nga tubimi i qytetarëve, bën me dije se vendimi i sotëm ndaj Thaçit dhe të bashkëakuzuarve të tjerë, është i shkallës së parë dhe nëse palët e përfshira në proces do kenë pretendime do të mund ta ankimojnë atë.
“Pavarësisht vendimit të ditës së sotme me peshë historike dhe poolitike, është një vendim i shkallës së parë dhe nëse palët e përfshira në proces do kenë pretendime mund ta ankimojnë këtë vendim”, deklaroi Omeri.


