Kjo shtatore e Mbretëreshës Teuta iu shtua panoramës së Shëngjinit. Me një gjatësi prej 9 metrash e lartë, ajo është vendosur në ballkonin panoramik të qytetit, në aksin Shëngjin–Velipojë, përballë peizazhit të Ranës së Hedhun.
Figura e Mbretëreshës Ilire është menduar të jetë jo vetëm një vepër monumentale, por edhe një pikë e re interesi për vizitorët që mbërrijnë në këtë pjesë të bregdetit.
Vendosja e saj u shoqërua me një ceremoni, ku në qendër ishte figura e Teutës dhe rëndësia e saj në historinë ilire.
Sipas historianit Neritan Ceka, figura të tilla të historisë sonë duhet të marrin vendin që meritojnë, ndërsa Teuta mbetet një personazh i historisë ilire dhe ndër të rrallat e kësaj memorie.
Kryebashkiakët e Lezhës dhe Shkodrës, Pjerin Ndreu dhe Benet Beci, e cilësuan shtatoren një vlerë që lidh historinë me të tashmen, duke e parë atë edhe si një mundësi të re për promovimin turistik të kësaj zone.
Shtatorja është vepër e skulptorit Julian Muçollari dhe është realizuar falë donacioneve të mbledhura nga qytetarë.
Nga sot, figura monumentale e Mbretëreshës Teuta i shtohet peizazhit të Shëngjinit, duke synuar të kthehet në një tjetër pikë tërheqëse për vizitorët që zgjedhin këtë zonë të bregdetit shqiptar.


