Helikopteri rrëzohet pranë zonës tregtare në Los Angeles, të paktën 3 persona humbin jetën!

AKTUALITET


Tre persona kanë humbur jetën pasi një helikopter u rrëzua në një zonë të banuar në periferi të Los Angelesit, kanë konfirmuar autoritetet lokale të zjarrfikësve.

Helikopteri u rrëzua mes dy ndërtesave tregtare në lagjen Chatsworth, bëri të ditur një zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të Los Angelesit (LAFD) për BBC.

Nga incidenti, një person tjetër është transportuar në një spital lokal, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende e ditur.

Pamjet nga vendngjarja treguan dy kontenierë transporti dhe disa automjete të përfshira nga flakët. Zjarrfikësit njoftuan më vonë se zjarri ishte shuar.

Ende nuk është bërë e qartë se kush po operonte helikopterin në momentin e aksidentit. Megjithatë, mediat lokale raportuan se bëhej fjalë për një helikopter lajmesh, i cili ndodhej në zonë pranë vendit ku kishte ndodhur më herët një aksident fatal me autobus.

Kapiteni i LAFD, Branden Silverman, deklaroi se një prej viktimave u gjet jashtë helikopterit pas rrëzimit dhe u shpall e vdekur në vendngjarje.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur numrin e saktë të personave që ndodheshin në bord në momentin e përplasjes.

Departamenti i Policisë së Los Angelesit (LAPD) konfirmoi se helikopteri nuk ishte në pronësi apo përdorim të policisë.

Ngjarja ndodhi pak para orës 19:00 me orën lokale të martën, në zonën e kryqëzimit të Lurline Avenue dhe Nordhoff Street.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) do të udhëheqë hetimin për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rrëzimit.



Skip to toolbar