Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë konstatuar se Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur të dëshmojë ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile, si një nga kushtet për konstatimin e krimeve kundër njerëzimit.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith III, tha se provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e kanë vërtetuar këtë element të akuzës.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krim kundër njerëzimit, Trupi Gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, deklaroi Smith.
Ky konstatim i trupit gjykues lidhet me një nga elementet që Prokuroria duhej të provonte për akuzat për krime kundër njerëzimit.


