Këshilltarët federalë të Shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur përdorimin e një testi gjaku që synon të zbulojë shenja të disa llojeve të kancerit te njerëzit që nuk kanë simptoma, por kanë paralajmëruar se ende nuk është e qartë se sa efektive është kjo teknologji. Paneli këshillues i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, FDA, votoi me 7 vota pro, 2 kundër dhe një abstenim se testi i kompanisë Grail, i njohur si Galleri, mund të ofrojë më shumë përfitime potenciale sesa rreziqe.
Studimi i bërë nga kompania, e cila kryen këtë analizë gjaku, ku morën pjesë mbi 140 mijë persona të rritur, ka treguar se testi identifikoi rreth një të tretën e rasteve të kancerit, të cilat më pas u diagnostikuan zyrtarisht gjatë një periudhe njëvjeçare. Testi nuk vendos diagnozën e saktë të llojit të kancerit, nga i cili mund të jetë prekur një pacient.
Ai kryhet përmes një marrjeje të vetme gjaku dhe kërkon sinjale biologjike që mund të tregojnë praninë e një tumori. Nëse rezultati del pozitiv, pacienti duhet t’i nënshtrohet ekzaminimeve të tjera për të përcaktuar nëse ka vërtet kancer. Vendimi i panelit erdhi pavarësisht pyetjeve të shumta të ngritura për saktësinë dhe dobishmërinë e testit. Ekspertët theksuan se ai mund të japë si rezultate false pozitive, duke alarmuar persona të shëndetshëm, ashtu edhe rezultate false negative, duke mos zbuluar raste reale të kancerit.
Nëse Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave e miraton përfundimisht, ky mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt përdorimit më të gjerë të analizave të gjakut për zbulimin e kancerit. Ekspertët refuzuan ta përshkruajnë testin Galleri si një metodë të provuar për “zbulimin e hershëm”, pasi të dhënat aktuale nuk kanë treguar ende se përdorimi i tij çon në më pak vdekje nga kanceri.
Paneli rekomandoi gjithashtu disa masa të rëndësishme: testi duhet të përdoret krahas kontrolleve rutinë ekzistuese dhe jo në vend të tyre; një rezultat negativ nuk garanton se personi nuk ka kancer; ndërsa nevojiten studime të mëtejshme për të përcaktuar nëse testi sjell përfitime të krahasueshme me metodat tradicionale të depistimit.
Testi Galleri është tashmë i disponueshëm në SHBA, zakonisht me një kosto prej 700 dollarësh ose më shumë, të paguara nga vetë pacienti. Një miratim nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave mund të zgjerojë ndjeshëm përdorimin e tij dhe të hapë rrugën për mbulimin e kostos nga Medicare dhe kompanitë private të sigurimeve.


