Athina është tronditur mëngjesin e sotëm nga një shpërthim i fuqishëm në një ndërtesë të vjetër dykatëshe në lagjen Plaka, në afërsi të Akropolit, duke shkaktuar shembje të një pjese të saj dhe dëme te shumta në zonë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 7.30 minuta dhe u ndje në një pjesë të madhe të qendrës së Athinës duke lënë pas tre persona të plagosur, jashtë rrezikut për jetën.
Të plagosurit janë dy gra që banonin në ndërtesë dhe një kalimtar i rastit.
Menjëherë pas shpërthimit, nga rrënojat filloi të dilte tym, ndërsa nga vala goditëse u shkaktuan dëme edhe në ndërtesat fqinje dhe makinat e parkuara.
Zjarri mori përmasa të mëdha dhe u desh ndërhyrja e 6 zjarrëfikësve për të vendosur situatën nën kontroll.
Departamenti i Zjarrfikësve vazhdon operacionin për persona të tjerë që mund të kenë ngelur brenda ndërtesës, dyshohet për një çift të moshuarish.
Shkaqet e shpërthimit nuk dihen ende, ndërsa një nga skenarët që po shqyrtohet është një rrjedhje gazi.


