Ish deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka mbështetur kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi në lidhje me një marrëveshje të mundshme me Partinë Socialiste. Spaho tha se opozita nuk po përgatit asnjë marrëveshje të fshehtë me Ramën dhe se nuk do të ketë një të tillë për aq kohë sa ai është kryeministër. Si kryetar i PS, është e drejta e tij të vij të ulet në tavolinën e partive politike, tha Spaho, i cili shtoi se PD është e vendosur dhe nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje pa u larguar Rama nga posti i Kryeministrit dhe pa u dënuar ata që vodhën votat.
“Ky është një spekulim i pastër që vjen nga rrethet e kryeministrit Edi Rama. Për të dalë nga kjo situatë hedhin shashka të tilla, por qëllim ynë është i qartë: nuk kemi hyrë në këtë betejë për pazare dhe interesa të ngushta, por kemi hyrë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kushti i parë është që të dënohen ata që kanë futur dorën në zgjedhje. Sot ka fakte se sa herë ka zgjedhje, Rama fut duart në procesin zgjedhor. Një dialog e bëmë në 2017, e kishim kërkesën që me Ramën nuk shkojmë në zgjedhje, por shkuam dhe rezultati tregoi se ai manipuloi zgjedhjet. Si kryetar i PS, por jo si kryeministër, është e drejtë e tij të jetë në tryezën e partive politike. Me Edi Ramën nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Rama me kokëfortësi kërkon të marrë të gjitha pushtetet” tha Spaho gjatë një interviste televizive.
Më herët edhe Kryemadhi është shprehur e gatshme që të ulet në bisedime me Ramën si kryetar i PS dhe jo si Kryeministër. Në fakt kjo del në një linjë të kundër me kreun e PD, Basha i cili thotë se nuk ka dialog pa ikur Rama dhe nuk e ka përmendur kurrë faktin se mund ta pranojë atë si kryetar i PS në tryezën e bisedimeve.