Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se çështja e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale nuk duhet të shihet vetëm si një çështje votimi, por duhet të shoqërohet me një politikë të qartë shtetërore.
Sipas tij, ligji duhet të votohet, por krahas kësaj duhet të ketë edhe një zotim të qartë për qëndrimet e institucioneve të Kosovës në diplomaci dhe për mbështetjen financiare.
Ai shtoi se, sipas tij, aktgjykimi mund të përdoret nga kundërshtarët e Kosovës për të vënë në pikëpyetje shtetësinë e saj.“ Nuk është çështja e votimit të ligjit, ai duhet të ndërlidhet me një politikë shtetërore edhe me miqtë tanë në Hagë që duhet t’i kthehen Kosovës. Ligji duhet të votohet, përtej saj duhet një zotim se si do të jenë qëndrimet e diplomacisë, mbështetjet financiare. Beogradi e ka mbërritur qëllimin e tij politik. Qëllimi i tij ka qenë të godasë imazhin e Kosovës, me aktgjykimin imazhi i Kosovës është goditur. Qëllimi i armiqve të shtetit të Kosovës është të përdorin aktgjykimin për të mohuar shtetësinë e Kosovës. Interesi shtetëror është i lidhur me këtë aktgjykim.”


