Në Kosovë sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet kreu i ri i shtetit, vendi do të shkojë në ciklin e katërt zgjedhor brenda dy vitesh.
Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Geron Kamberi thotë se situata politike në Kosovë është e pazakontë. Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Kamberi u shpreh se Kosova ka agjendë më të rëndësishme se sa loja politike mes qeverisë dhe opozitës.
Sipas Kamberit, komuniteti ndërkombëtar pret formimin e institucioneve të Kosovës dhe shtoi se vetë kryeministri Albin Kurti nuk ka pasur marrëdhënie të mira me ndërkombëtarët.
“Kosova ka hyrë në një fazë, me zgjedhje çdo 6 muaj, është disi e pazakontë. Tashmë, u bë më shumë se 1 vit që zgjedhjet në Kosovë, ka prodhuar këtë situatë. Formula e zgjedhjes së presidentit, përdoret nga opozita për të kërkuar diçka në këmbim. Duket pak paradoksale, Kosova ka agjendë më të rëndësishme se loja politike. Komuniteti ndërkombëtar, kemi trupa të KFOR që garantojnë territorin e Kosovës, EULEX, vetë komuniteti ndërkombëtar, pret që Kosova të formojë institucionet. Kosova ka ende legjitimitet jo të plotë nga pikëpamja ndërkombëtare, nuk është anëtare e OKB. Kemi një ngecje të dialogut me Kosovën. Kosova duhet të vazhdojë me agjendën e saj”, deklaroi eksperti.
Kamberi deklaroi se vendimi i Gjykatës Speciale, për dënimin e ish krerëve të UÇK-së, ka krijuar një tjetër ngërç në Prishtinë.
“Situata duket e vështirë, pas vendimit të Gjykatës Speciale, është krijuar edhe një ngërç tjetër. Askush nuk mund të priste gjykim tjetër, duke u nisur nga rrethanat që u krijua kjo gjykatë. Edhe kjo përpjekje për të ndryshuar ligjin, për Gjykatën Speciale, janë përpjekje për të pasur ndikim te vendimi i Gjykatës së Apelit. Komuniteti ndërkombëtar ishte i bindur atë periudhë, që nuk duhet t’i linte hapësirë Kosovës, prandaj është e vendosur në Hagë. Procesi për t’u përballur në Apel do kërkojë strategji tjetër”, theksoi ai.


