Avokati Spartak Ngjela paralajmëron arrestimin e presidentit Ilir Meta. Gjatë një prononcimi të dhënë për gazetën “SOT”, Ngjela u shpreh se Metën e kap reforma në drejtësi për shkak të bëmave të tij. Sipas avokatit, shkarkimi i presidentit është hapi i parë që e çon atë drejt reformës në drejtësi. Ngjela shtoi se kreu i shtetit ka punuar kundër reformës dhe për këtë arsye tentoi t’i vinte zjarrin Shqipërisë, por theksoi se Amerika nuk mund ta toleronte një gjë të tillë. “Ambasadorja amerikane ja tha në sy Metës mbrëmë. E goditi hapur në fushën e ambasadës dhe ja tha hapur që reformën në drejtësi nuk e ndalon dot askush. Ishte një mesazh për të dhe tentativat e tij për ta bllokuar këtë reformë. Shkarkimi i Metës është hapi i parë i rëndësishëm për reformën në drejtësi dhe goditjen antikorrupsion. Mazhoranca duket e vendosur dhe do ta çojë deri në fund. Shkarkimi do t’ia heqë Metës imunitetin dhe do të rrezikojë arrestimin. Ai ka bërë punë për ta penguar reformën në drejtësi. Ai nuk ka pasur shumë në dorë, por tani bëri aktin e fundit. Kërkonte të bënte zjarr Shqipërinë dhe të çonte vendin në destabilizim”, tha Spartak Ngjela.
Avokati e ndali theksin edhe tek ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Duke komentuar punën e deritanishme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ngjela u shpreh shpresëplotë se goditja kundër korrupsionit do të fillojë brenda vitit, madje që muajin e ardhshëm. “SPAK ka në brendi 3 institucione të tjera goditëse, Gjykatën e Posaçme, Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Tani, e rëndësishme është Prokuroria e Posaçme, pastaj ka kohë edhe për Gjykatën e Posaçme. Patjetër që brenda këtij unë pres që të nisë goditja antikorrupsion. Unë mendoj që proceset penale do të nisin që në gusht apo shtator. Megjithëse organet e drejtësisë nuk pyesin gusht a korrik, nuk pyesin për pushime, por e nisin goditjen penale direkt. Por unë them që në shtator nuk diskutohet, do të kemi proceset e para penale. Sepse këtu ka qenë një gjendje rëndë, ti nuk e pe raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, e konsideroi vendin tonë një vend me korrupsion të lartë dhe thembra e Akilit ishte pushteti gjyqësor”, theksoi Spartak Ngjela.
Për avokatin, e keqja vendit tonë i ka ardhur nga sistemi gjyqësor. Ai deklaroi se për shkak të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë shitur drejtësinë vendi u rendit nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një nga vendet më të korruptuara. Megjithatë, Ngjela nënvizoi se kësaj epoke tashmë i ka ardhur fundi. “Gjithë e keqja Shqipërisë i ka ardhur nga kjo bandë e tmerrshme juridike që ka përbërë pushtetin gjyqësor. Atje është mbështetur edhe korrupsioni shtetëror, edhe korrupsioni kryeministror, gjithçka e rëndë është mbështetur tek ata. Ata kanë shitur drejtësinë dhe kanë lejuar këta, politikanë, ministra, kryeministra, që të vjedhin popullin. Kjo ka qenë filozofia e tyre, por tani gjithçka ka marrë fund. Që të gjithë do të dalin para drejtësisë. Qoftë ata që kanë shitur drejtësinë, qoftë ata pushtetarë që kanë përfituar nga drejtësia. Të gjithë pushtetarët e korruptuar do të jenë të rrezikuar. Ndërkombëtarët kanë dosje për secilin prej tyre kështu që nuk shpëtojnë dot. Duhet të jemi të qartë që SPAK e mori fuqinë e vet juridike dhe tani mbetet të priten goditjet penale në shtator”, deklaroi Spartak Ngjela.