Rikthehen “Jelekët e Verdhë” në Francë, mbi 160 të ndaluar pas protestave në disa qytete

AKTUALITET


Protestat e studentëve dhe të lëvizjes së “Jelekëve të Verdhë” kanë përfshirë disa qytete të Francës, ku janë regjistruar përplasje dhe incidente.


Presidenti Emmanuel Macron ka bërë thirrje për qetësi, ndërsa deri në mesditë numri i personave të ndaluar kishte kaluar 160.


Për të ndjekur zhvillimet dhe për të koordinuar reagimin ndaj protestave, është mbledhur njësia ndërministrore e krizës, me pjesëmarrjen e drejtuesve të kabineteve të kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë të përfshirë në menaxhimin e situatës.


Rikthimi i “Jelekëve të Verdhë” ishte paralajmëruar në rrjetet sociale që prej fillimit të shtatorit, me thirrjen për mobilizim më 17 tetor.


Lëvizja, e cila u shfaq në vitin 2018 kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe kostos së jetesës, mobilizoi deri në vitin 2019 dhjetëra mijëra protestues në rrugët e Francës.


Protestat e asaj periudhe u shoqëruan me përplasje të dhunshme, mijëra arrestime dhe qindra të plagosur, disa prej tyre rëndë, si pasojë e përdorimit të armëve të konsideruara j vdekjeprurëse nga policia.


Rikthimi i “Jelekëve të Verdhë” i është bashkuar protestës së nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve universitarë, e cila nisi rreth 20 ditë më parë në Saint-Denis dhe Paris, për t’u përhapur më pas në pjesën tjetër të vendit.

Në protesta janë përfshirë edhe kategori të tjera qytetarësh, nga fermerët dhe mësuesit te taksistët dhe infermierët, të cilët shprehin pakënaqësinë për përkeqësimin e kushteve të jetesës dhe të punës.

Në Paris, marshimi kryesor është planifikuar të nisë në orën 14:00 nga sheshi République drejt sheshit Clichy. Megjithatë, grumbullimet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, ndërsa në shesh janë shënuar incidente.

Policia ka shpërndarë dy marshime të paautorizuara. Prefekti i Policisë së Parisit, Patrice Faure, kishte nxjerrë një urdhër që ndalon protestat në disa zona strategjike të kryeqytetit, pranë Pallatit Élysée, Matignonit, selisë së kryeministrit, dhe Champs-Élysées.

Ndërkohë, në shënjestër të protestuesve është vënë edhe selia e televizionit CNews, në pronësi të Vincent Bolloré, i cili është i pozicionuar pranë së djathtës ekstreme.

Rreth 100 persona, me kapuçë dhe fytyra të mbuluara, bllokuan rreth orës 07:00 hyrjen e parkimit përpara ndërtesës në perëndim të Parisit, ku ndodhen edhe zyrat e redaksisë së radios Europe 1.

Sipas raportimeve, persona të identifikuar si pjesë e grupeve “black bloc” hodhën sende dhe thyen xhamat e ndërtesës. Policia ndërhyri në vendngjarje dhe arrestoi 21 persona.



Skip to toolbar