Në ditën e kapitullimit të protestës në Shqipëri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theu heshtjen misterioze 3-javore. Në një apologji të gjatë të paprovokuar para Këshillit Kombëtar të Vetëvendosjes, përfaqësuesi me i larte i së majtës radikale në Kosovë, u distancua nga nga guerrilsat të kuq dhe blu në Tiranë.
“Kam parë me habi se si zëra të ndryshëm janë përpjekur t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta, por ne sot jemi forcë qeverisëse dhe jo forcë protestuese, e edhe kur kemi qenë forcë protestuese, protestave u kemi dalë në ballë vetë dhe kurrë nuk kemi ndenjur anonimë. Nuk e kemi vlerësuar kurrë si të denjë taktikën e ‘hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës’ dhe i kemi ndenjur larg instrumentalizimeve, as nuk kemi pranuar të na instrumentalizojë kush, as nuk kemi instrumentalizuar të tjerët”, tha Kurti.
Pra, Kurti mbeti i habitur për zërat që e lidhin me Arlind Qorin. Por, ai mohoi vetëm mbështetjen fizike, jo ideologjike. Ndërhyrjen e parë në distancë, Kurti e shënoi me anësinë ndaj protestës. Paralajmëruar kjo nga ministrat e tij të cilët më parë kanë bërë deklarata pro dhunës, dhe këshilltarët e tij në protestë. Kurti nuk dënoi dhunën e protestuesve, u shqetësua vetëm për dhunën ndaj protestuesve.
“Dhuna e lëndimet ndaj njerëzve, ballafaqimet direkte në rrugë janë brengë e të gjithëve. Por, nuk mjafton të përcaktohen vetëm përgjegjësit penalë të dhunës. Duhet të kuptohen edhe rrënjët e saj, kushtet që e ushqejnë dhe arsyet që i shndërrojnë kundërshtitë në përplasje. Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht”, theksoi ai.
Megjithatë, Kurti këtë të shtunë i futi thikën pas shpinës protestës, Arlind Qorit apo dhe Sali Berishës. Më e hidhura nga të gjitha, iu vetëofrua për bashkëpunim Edi Ramës, duke pranuar se Shqipëria po avancon me qeverinë e PS.
“Ne jemi në krye të Qeverisë Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj. Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, apo për arritjet e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë. Ne me gjithë zemër duam dhe dëshirojmë që këto arritje të Qeverisë së Shqipërisë e të popullit shqiptar të konsolidohen dhe të zgjerohen edhe me projekte të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, infrastrukturore, ekonomike, arsimore, ushtarake e jo vetëm”, shtoi Kurti.


