Policia e Tiranës njofton sot më 3 nëntor se ka vendosur 16 gjoba administrative ndaj personave që bllokuan qarkullimin e automjeteve gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara Kryeministrisë.
Në zbatim të Aktit Normativ, secili prej tyre është gjobitur me 5 mijë lekë për pengimin e lëvizjes së mjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Autoritetet bëjnë me dije se protestuesit nuk iu janë bindur thirrjeve të përsëritura të efektivëve për lirimin e rrugës. Ndërkohë, dy shtetas të mitur janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se, të maskuar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të studentëve më 2 nëntor.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të djeshëm, vendosen 16 masa administrative, në zbatim të Aktit Normativ.
Procedohen penalisht 2 shtetas të mitur, të dyshuar për veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, sipas pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 16 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.
Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve.
Nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj shtetasve të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera janë vendosur bazuar në identifikimin e shtetasve nga pamjet filmike. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur, pasi më datë 02.11.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga studentët, dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


