Pas gati 30 vitesh në Senat, ‘rrëzohet’ Susan Collins! Demokratët marrin një tjetër mandat në Maine

#NËRADAR


Demokratët kanë shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, duke ‘rrëzuar’ nga detyra senatoren republikane Susan Collins, e cila kishte përfaqësuar shtetin e Maine-s në Senat për gati 30 vjet.

Kandidati demokrat Troy Jackson ka mundur senatorën veterane në një garë të karakterizuar nga përplasjet e forta politike dhe polemikat gjatë fushatës. Collins, e zgjedhur për herë të parë në vitin 1996, ishte e vetmja senatore republikane që përfaqësonte një shtet që prej vitit 1992, që ka votuar vazhdimisht për kandidatët demokratë në zgjedhjet presidenciale.

Gjatë karrierës së saj, 73-vjeçarja Collins kishte ndërtuar imazhin e një republikaneje të moderuar, e cila në disa raste ishte distancuar nga politikat e presidentit Donald Trump. Ajo konsiderohej një nga votat vendimtare në Senat, pasi qëndrimi i saj mund të përcaktonte fatin e ligjeve të rëndësishme.

Collins kishte votuar kundër Trump gjatë procesit të dytë të shkarkimit të tij në vitin 2021, pas sulmit në Kapitol, kundër projektligjit të tij të madh për buxhetin dhe kundër shfuqizimit të reformës shëndetësore Obamacare. Megjithatë, ajo e kishte mbështetur presidentin në disa vendime të rëndësishme, përfshirë emërimin e Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme dhe konfirmimin e Robert F. Kennedy Jr. si sekretar të Shëndetësisë.

Nga ana tjetër, Troy Jackson, ish-punëtor në industrinë e prerjes së drurit, e ndërtoi fushatën e tij mbi të drejtat e punëtorëve dhe akuzat ndaj Collins se kishte lejuar qëndrimet e saj të diktoheshin nga presioni i Trump. Gjatë debateve televizive, përplasjet mes tyre u ashpërsuan, ndërsa Jackson tërhoqi vëmendjen kombëtare kur i tha senatores 73-vjeçare të “mbyllte gojën”.

Ai hyri në garë në një fazë të vonë, pasi kandidati i mëparshëm demokrat, Graham Platner, u tërhoq pas një serie polemikash dhe akuzash. Jackson, i cili më herët kishte humbur garën brenda Partisë Demokratike për guvernator, arriti të sigurojë kandidimin për Senat përmes një konvente të posaçme të partisë. Ai mbështeti gjithashtu politika progresiste, përfshirë shfuqizimin e agjencisë së emigracionit ICE.

Humbja e Collins përbën një tjetër goditje për republikanët dhe një forcim të mëtejshëm të pozitave të demokratëve në Kongresin amerikan. Pas fitoreve në disa shtete kyçe, përfshirë Teksasin dhe Karolinën e Jugut, demokratët kanë siguruar kontrollin e Senatit, ndërsa kanë fituar edhe shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Kështu, ata do të kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit gjatë dy viteve të fundit të presidencës së Donald Trump, duke i dhënë opozitës mundësi më të mëdha për të penguar ose sfiduar agjendën politike të presidentit amerikan.



Skip to toolbar