Pas “kërcënimeve” se nuk do të lirojnë zyrën për bashkiakët e rinj të PS, drejtuesit në ikje të PD-LSI, që drejtojnë aktualisht disa bashki në vend, kanë ‘haruar’ kërcënimet dhe janë kujtuar të punojnë. Nga një vëzhgim në rrjetet sociale, të disa prej bashkiakëve të PD-LSI, Voltana Ademit në Shkodër, Xhelal Mziut në Kamëz, Miranda Rrirës në Prrenjas dhe Altin Toskës në Cerrik, shikon se pas protestës së 8 korrikut, kanë harruar postimet politike duke i zëvendësuar me ato të punëve publike.
Voltana, që u bë e famshme në Shkodër para zgjedhjeve për molotovin dhe heroizmin për të shkatërruar materialet zgjedhore në KZAZ-të të ndryshme të Bashkisë që drejton, ka nisur të postojë në facebook foto të shoqëruara me tekste ku prezanton disa nga punët e saj publike, që janë duke u bërë këto ditë të korrikut.
Madje, kryebashkiakja e Shkodrës, na prezanton disa investimet që po kryhen në Velipojë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, madje bën mirë që po punon duke asfaltuar rrugët që të çojnë në plazhin e Velipojës, por nuk do të ishte më mirë që gjithë kohës që u mor me politikën e PD-së dhe dhunën ndaj KAZA-ve, ta shfrytëzonte për të asfaltuar rrugët e Velipojës, për të shmangur punimet në klumin e sezonit turistik?! Gjithsesi, e rëndësishme është që znj.Ademi ka kuptuar se roli i saj është të kujdeset për punët publike dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të bashkisë që drejton.
Të njëjtën gjë prezanton dhe Xhelal Mziu në facebook e tij, punë në disa rrugë të lagjeve të bashkisë që drejton. Edhe dy kryebashkiakët e LSI, Altin Toska dhe Miranda Rira, gjithashtu, pas protestës së fundit të opozitës, kanë nisur të publikojnë në rrjetet e tyre sociale disa investime që po kryejnë për komunitetin. Për më tepër, shihni fotot në Realstory.al, ku shfaqen bashkiakët e PD-LSI, që i rikthehen detyrës së tyre funksionale, një muaj para se të largohen nga zyra që kanë.