Presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin janë takuar në qytetin kinez Shenzhen, në kuadër të samitit të APEC-ut, përpara mbërritjes së presidentit amerikan Donald Trump.
Takimi mes dy liderëve vjen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi të tre fuqitë e mëdha pritet të zhvillojnë një takim trepalësh, i konsideruar historik, ku në tryezë do të jenë çështje të rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike. Xi dhe Putin u shfaqën duke riafirmuar marrëdhëniet e tyre të ngushta, të cilat sipas tyre mbeten të qëndrueshme, pavarësisht trazirave në arenën ndërkombëtare. Ky është takimi i 50-të mes dy liderëve, ndërsa në bisedimet e tyre pritet të jenë përfshirë lufta në Ukrainë, furnizimet me energji dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Për Vladimir Putinin, takimi i pritshëm me Trump dhe Xi përbën një fitore të rëndësishme diplomatike, pavarësisht nëse do të prodhojë apo jo rezultate konkrete. Pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022, lideri rus u përball me izolim të gjerë ndërkombëtar dhe me përpjekjet e vendeve perëndimore për ta larguar nga tryezat e rëndësishme diplomatike.
Katër vite më vonë, ai pritet të ulet përballë presidentit amerikan dhe atij kinez, pa bërë deri më tani kompromis për Ukrainën. Moska vijon të refuzojë një armëpushim gjithëpërfshirës dhe vazhdon luftën, ndërsa vetë Putin ka deklaruar se takimi trepalësh mund të sjellë përfitime të mëdha.
Nga ana tjetër, Trump pritet të shfrytëzojë takimin për të diskutuar me Xi Jinping çështje që Pekini nuk ka treguar shumë gatishmëri t’i trajtojë, veçanërisht kontrollin e armëve dhe zgjerimin e arsenalit bërthamor kinez. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zotërojnë secila rreth 5 mijë koka bërthamore, ndërsa Kina ka afërsisht 600, por ritmi i shpejtë i zgjerimit të kapaciteteve të saj ka ngritur shqetësime në Uashington.
Një tjetër temë e rëndësishme do të jetë tregtia, pasi Kina synon të shmangë një përsëritje të luftës tarifore, ndërsa administrata amerikane kërkon më shumë mundësi për kompanitë e saj në tregun kinez përpara arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.
Takimi trepalësh do të zhvillohet në Shenzhen, një qytet që Xi Jinping e ka zgjedhur për të prezantuar përpara botës zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të Kinës. Dikur një qytezë e vogël peshkimi, Shenzhen është shndërruar në një qendër gjigante të prodhimit dhe inovacionit, ku operojnë kompani të mëdha si Huauei, Tencent, BYD dhe DJI, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale, robotikës dhe automjeteve elektrike.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse në samit mund të shfaqet edhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Kremlini nuk e ka përjashtuar mundësinë e një takimi me të nëse ai merr pjesë, ndërsa Trump ka shprehur interes për të zhvilluar bisedime me liderin koreano-verior.
Megjithatë, ekspertët e konsiderojnë të pamundur praninë e Kim në këtë samit, pasi deri tani nuk ka shenja të përgatitjeve diplomatike për një vizitë të tillë. Pavarësisht rëndësisë së takimit mes tre fuqive, analistët nuk presin përparime të mëdha konkrete, duke pasur parasysh numrin e madh të çështjeve të hapura dhe kohën e kufizuar për negociata.


