Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 27-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale të vjedhjes, pasi tetë ditë më parë kërcënoi me thikë dhe i mori lekët një gruaje në farmaci.
Sipas policisë, në pranga ka rënë I. P., 27 vjeç, banues në Vlorë. Policia e Vlorës tha se menjëherë pas shpalljes së tij në kërkim, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative ka bërë kapjen dhe ndalimin e tij. Ngjarja ndodhi 7 korrik, në lagjen “29 Nëntori” Vlorë, kur I.P. ka vjedhur me dhunë nën kërcënimin e thikës në ambientet e farmacisë L.Ll, duke i marrë një sasi parash prej 10 mijë lekësh të reja.