Për inat të nipit, gjyshi kërcënon me çifte dhe benzinë

AKTUALITET


Një i moshuar në Kukës ka përfunduar në prangat e policisë, pasi pas sherrit që ka pasur me nipin dhe familjarët e tij, ai i ka kërcënuar me armë gjahu se do i vriste, ndërsa ka shpërkatur shtëpinë me benzinë për t’i vënë zjarrin. Ngjarja e rëndë është parandaluar në momentin e fundit nga policia, e cila ishte njoftuar nga nipi i 79-vjeçarit, që ka kërkuar ndihmën e uniformave blu, duke qenë se ai nuk po qetësohej nga fjalët e familjarëve.

Policia e Kukësit tha se për këtë ngjarje është njoftuar paraditen e së mërkurës nga familja e 79-vjeçarit I.S. dhe menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes. Nga verifikimi ka rezultuar se i moshuari ka shkatërruar orenditë e shtëpisë, ka ushtruar dhunë psikologjike dhe kërcënime ndaj familjarëve. Më pas, ai i ka kanosur me armë gjahu (çifte), si dhe ka tentuar të djegë shtëpinë me benzinë. Por falë njoftimit në kohë të policisë dhe mbërritjes menjëherë në vendngjarje të inspektorit të Policisë së Zonës, ai në bashkëpunim me familjarët i kanë marrë çiften dhe shishen e benzinës 79-vjeçarit I.S, duke e vënë në pranga. Policia sekuestroi armën e gjahut, shishen e benzinës dhe një çakmak.



Skip to toolbar