Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, njëherësh edhe kandidat për postin e prokurorit të Përgjithshëm, ka zhvilluar të premten seancën e parë të rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Në këtë seancë KPK ka bërë të ditur se nuk ka gjetur asnjë shkelje nga ana e prokurorit Çela. Ai ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, ka burime të ligjshme dhe nuk ka konflikt interesi.
Ai rezulton se ka qenë pronar i një apartamenti 77 m2 në zonën e “Don Bosko”-s, blerë për 78 mijë euro në vitin 2015, të cilin e ka shitur në vitin 2018 për 85800 euro.
Nuk është konstatuar asnjë problematikë në lidhje me këtë pasuri dhe as burimet e deklaruara nga mamaja e Çelës.
Pa probleme kanë rezultuar edhe dy hua të marra nga Çela, te tezja e tij dhe te një person tjetër.
Për sa i përket figurës, DSIK ka realizuar një raport pozitiv.
Nuk ka kontakte të papërshtatshme me elemente të krimit të organizuar dhe konfirmohet si i përshtatshëm për vijimin e detyrës.
Për vlerësimin profesional, ka pasur raport pozitiv nga ana e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Olsian Çela është një nga kandidatët për postin e kryeprokurorit. Në datën 23 korrik KPK pritet të marrë vendim pozitiv për konfirmimin e tij në detyrë duke i hapur rrugën e vlerësimit nga KLP për postin e kryeprokurorit.