Rama falënderon SHBA: Nuk lejuan që Shqipëria të rrëzohej në 30 qershor

AKTUALITET


Partia Socialiste ka mbledhur Asamblenë Kombëtare, e paralajmëruar për zhvillimin e një analize të gjerë brenda socialistëve pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Ishte Kryeministri Edi Rama ai që mbajti fjalën e hapjes në asamble, duke e nisur diskutimin e tij me një falënderim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas shefit të qeverisë, garantuan mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe nuk lejuan që Shqipëria të rrëzohej.  “Shqipëria u lëkund por nuk u rrëzua. Kjo dhe falë mbështetjes së SHBA ndaj shqiptarëve, në mbështetje të lirisë së zgjedhjeve dhe të të drejtës të çdo qytetari për të zgjedhur. Kështu që ma ha mëndja, se kur të flitet për këtë moment, nuk do të harrohet roli i aleatëve tanë, për të cilin nuk do të jetë kurrë mjaftë falënderimi për gjithçka bën. Shqipëria sot është çliruar nga makthi i gjithë gjysmës së parë të vitit, por mbetet në një plagë të hapur, por mbetet në nevojë për shumë kujdes politikë”.

Më pas, Rama foli për zgjedhjet e 30 qershorit dhe atë që do të ndodhë pas tyre, kryesisht në bashkitë e djathta, që tashmë do të qeverisen nga socialistët. Kryeministri u shpreh se shqiptarët e bën të tyren më 30 qershor, ndaj tashmë është radha e Qeverisë, për të treguar përgjegjshmëri dhe përulësi ndajndaj vullnetit të shqiptarëve.  “Qytetarët shqiptarët e bën të tyren mësëmiri, qoftë ata që votuan, në numra që kaluan edhe pritshmëritë më optimiste për mënyrën se si u zhvillua gjithë procesi deri në 30 qershor, dhe në në një numër votash për kandidatët tanë, që është një bazë shumë domethënëse për të vijuar më tutje. Por tani është radha jonë që të bëjmë tonën, duke e ndjerë forcën e vullnetit të rishprehur të shqiptarëve, jo si një arsye për tu ndierë ne më të fortë, por si një arsye për tu përulur shumë më tepër ndaj tyre, për të reflektuar sa më shumë ndaj tyre”, tha Rama.

Ndërkohë, duke folur pak për kundërshtarët politikë, Rama u shpreh se 30 qershori është një ditë historike, pasi pas kësaj date nuk do të ketë më djegie mandatesh apo molotov. Sipas tij, ata që guxuan të bëjnë këtë gjë, e kanë pësuar përgjithmonë. “Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, nuk do të shoh më parti molotovësh, nuk do shoh më as fronte politike kundër. Ata e guxuan dhe e ndërmorën këtë aventurë e pësuan jo vetëm për vete por edhe për të gjithë ata të tjerë që vijnë pas, besoj përgjithmonë. Por ne nga ana jonë është shumë e rëndësishme që ta besojmë deri në fund, se ne nuk fituam nga që kemi bërë vetëm punë shumë të mira”, tha Rama duke shtuar: “Nuk fituam as sepse kemi bërë aq sa mjafton, se ne nuk kemi bërë shumë punë të mira, sepse kemi bërë edhe punë që më mirë të mos i kishim bërë fare. Sepse i kemi bërë gabim, ndonjë edhe keq. Sidoqoftë punët e bëra deri këtu nuk mjaftojnë më pas 30 qershorit, rendimenti ynë qeverisës nuk mjafton aspak pas 30 qershorit, sidomos niveli i shërbimit të njerëzve të zakonshëm, jo vetëm nuk mjafton, por nuk na nderon fare. Dhe duhet të na shqetësojë shumë fare, të gjithëve. Dhe kjo është gjëja që ne duhet ta kuptojmë thellësisht dhe me të cilën duhet të jetojmë çdo ditë”shtoi kryeministri.

Sipas Edi Ramës, e vetmja meritë e PS për 30 qershorin ishte qëndresa në anën e duhur të historisë. “Ne kemi vetëm një meritë, në fitoret historike të shetit dhe qytetarëve në 30 qershor. Kemi meritën që qëndruam në anën e duhur të historisë, që bëm zgjedhjen më të vështirë. Kjo meritë është padiskutim një shprehje e natyrshme e asaj që ka qenë dhe duhet të jetë Partia Socialiste. Këtë herë PS nuk ju shmang mundësisë së përplasjes sy më sy dhe dhëmbë më dhëmbë. 30 qershori është histori, ndërsa dy vitet e mbetura të mandatit tonë qeverisës, janë një borxh më i madh se sa ishte për ne si histori. Janë një borxh i shumëfishuar ndaj të gjithë atyre që i dhanë Shqipërisë fitoren e 30 qershorit”, tha Rama.



Skip to toolbar