“Nuk është e nevojshme të testohen asimptomatikët”, SHBA tërheq udhëzimin që shkaktoi polemika mbi koronavirusin

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë kanë tërhequr një udhëzim të muajit gusht që kishte krijuar shkaktuar polemika të forta, i cili sugjeronte se nuk ishte e nevojshme të testoheshin personat pa simptoma që mund të ishin ekspozuar ndaj koronavirusit.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka rikthyer në fuqi udhëzimin fillestar që personat që kanë qenë në kontakt me një individ të infektuar me koronavirusin duhet të testohen. Muajin e kaluar CDC-ja postoi në faqen e saj udhëzime sipas të cilave personat që nuk kishin simptoma, nuk kishin nevojë të bënin analizat. Udhëzimet e gushtit u pasuan me kritika të forta nga ekspertë të shëndetësisë që u shprehën se ishte e paimagjinueshme që agjencia kryesore e shëndetit publik në SHBA kishte bërë një sugjerim të tillë në një kohë kur vendi ndodhet në mes të një pandemie.

Kjo “nuk përputhet me parimet për të vënë nën kontroll një pandemi,” tha Dr. Silvia Chiang, eksperte pediatrike e sëmundjeve infektive në Universitetin Brown. Ajo përshëndeti tërheqjen e këshillës së gushtit nga CDC-ja.

Tani Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se kushdo që ka qendruar për të paktën 15 minuta në një distancë prej 2 metrash ose më pranë një personi të infektuar duhet të testohet. Në një deklaratë, CDC-ja e cilësoi ndryshimin një “sqarim” të nevojshëm “si rezultat i numrit të madh të infektimeve të shkaktuara nga persona pa simptoma ose para se të shfaqin simptomat”.

Zyrtarët e agjencisë nuk pranuan të ofrojnë komente shtesë.

Autoritetet e shëndetësisë nuk ofruan shpjegime të qarta për sugjerimin e gushtit. Disa vëzhgues spekuluan se udhëzimi iu imponua CDC-së nga të emëruar politikë brenda administratës Trump.

Në atë kohë administrata tha se CDC-ja vetë doli me frazologjinë e përdorur, por se vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë. Dr. Brett Giroir, ndihmës sekretar i Departamentit të Shëndetësisë tha se shumë zyrtarë jashtë agjencisë ishin përfshirë në “redaktime dhe sugjerime të shumta”. Ai tha se ishte e vështirë t’i atribuohej udhëzimi një personi apo institucioni specifik.

Gazeta New York Times, duke cituar dokumente të brendshme federale dhe burime pa i identifikuar me emër, njoftoi të enjten se ndryshimi në udhëzime në muajin gusht ishte postuar në faqen elektronike të CDC-së, megjithëse shkencëtarët e agjencisë kishin shprehur kundërshti.

Ekspertë të shëndetit publik kanë vënë në dukje se testimi i personave që kanë qenë në kontakt me të infektuar është një element thelbësor i përpjekjeve për të penguar përhapjen e mëtejshme dhe se një përqindje e lartë e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma.

Drejtori i CDC-së, Dr. Robert Redfield, nxori një deklaratë pak pas polemikave, por pa arritur të shpjegojë përse pati një ndryshim të tillë në udhëzime. Synimi kryesor duket se ishte për të nxitur zyrtarët e shëndetësisë në shtete individuale që të vazhdojnë testimin e personave të ekspozuar ndaj një individi të infektuar, megjithëse në faqen e internetit kjo quhej e panevojshme.

Gjatë një seance me pyetje-përgjigje të mërkurën në Senat, Dr. Redfield vazhdoi të mbronte udhëzimet e mëparshme të agjencisë. Ai tha se ndryshimi i udhëzimeve në gusht ishte keqinterpretuar dhe kishte pasur si synim të rriste rolin e zyrtarëve lokalë të shëndetësisë në menaxhimin e masave në përgjigje të vatrave të infeksionit./VOA

Përplasje me forcat ruse, SHBA-ja dërgon trupa në Siri

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar prezencën ushtarake në Siri, pasi disa forca ushtarake rusë kanë intensifikuar tensionet në këtë vend.

Incidentet në mes të forcave amerikane dhe ruse që kontrollojnë këtë zonë kanë eskaluar këtë vit.

Kapiteni i ushtrisë amerikane Bill Urban, tha se ky vendim do të sigurojë stabilitet të forcave të koalicionit.

“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me askënd në Siri, por do të mbrojmë forcat e koalicionit nëse është e nevojshme”, tha Urban.

BBC raporton se disa zyrtarë amerikanë kanë thënë që trupat dhe automjetet ushtarake janë dërguar për të ndaluar forcat ruse që të hyjnë në zonën e sigurisë, ku zhvillohet koalicioni mes SHBA-së dhe kurdëve.

Incidentet në mes të forcave ruse dhe amerikane në Siri janë shtuar në javët e fundit.

Në tetor të vitit 2019, presidenti amerikan Donald Trump vendosi të tërheqë trupat amerikane që ishin duke vepruar në mbështetje të aleancës së udhëhequr nga kurdët. Por, disa muaj më vonë, Trump vendosi të mbajë edhe disa qindra trupa në këtë vend.

“Mundësia për të shkruar historinë”. Thirrja e SHBA: Aplikoni për BKH

Pak ditë nga mbyllja e aplikimeve për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH), Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet selisë së tyre diplomatike në Tiranë, u bën thirrje qytetarëve shqiptarë, që plotësojnë kriteret, të aplikojnë për BKH-në. SHBA e cilëson këtë rast si “një mundësi për të shkruar historinë”.

“E dini se çfarë ju nevojitet për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit? Integritet, përvojë profesionale dhe aftësi udhëheqëse. Çdo person që plotëson kriteret minimale të përcaktuara nga ligji i SPAK, mund të aplikojë për këtë pozicion. Bëni përpara dhe aplikoni tani! Kjo është mundësia juaj për të shkruar historinë”, thotë SHBA.

Gjithashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, kanë publikuar edhe listën e kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët që synojnë të bëhen drejtues të BKH-së. Ndër kriteret kryesore renditen; arsimi i lartë policor, eksperienca e punës si prokuror, punonjës policie, punonjës i policisë Gjyqësore, apo Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në rastet e punonjësve aktualë apo të mëparshëm të Policisë së Shtetit, kandidati duhet të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”. Byroja Kombëtare e Hetimit është hallka kryesore e SPAK, e cila do të ndihmojë në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.

🇦🇱️ │ E dini se çfarë ju nevojitet për të aplikuar për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit?…

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Freitag, 24. Januar 2020

Pas betimit në Senat, Yuri Kim vjen në Tiranë në 30 janar. Merr zyrtarisht detyrën

Në 30 janar, Yuri Kim do të mbërrijë në Shqipëri. Sipas Balkanweb, Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, vjen në Tiranë në fund të muajit janar. Yuri Kim u propozua gjatë verës së kaluar si Ambasadore e SHBA në Shqipëri nga Presidenti Donald Trump. Ajo kaloi të gjitha fazat e emërimit në Senat, duke kryes së fundi dhe betimin.

Yuri Kim do të zëvendësojë në detyrën e ambasadorit paraardhësin e saj Donald Lu. Ajo është një diplomate karriere, që ka shërbyer në Departamentin Amerikan të Shtetit. Yuri Kim ka lindur në Kore, dhe është rritur në ishullin e Huamit.

Ajo ka pasur detyra të ndryshme si: Drejtore e Zyrës për Çështjet të Evropës Jugore; Drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë; Shefe e Stafit Zëvendëssekretarit të Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko Ushtarake.

Pak ditë më parë, Yuri Kim takoi të dërguarin e Posaçën të DASH Matthew Palmer, me të cilin diskutoi për dy zhvillimet e fundit në Shqipëri, dëbimin e dy diplomatëve iranianë dhe uljen e palëve politike në një tyrezë për hartimin e Reformës Zgjedhore.

SHBA përshëndet tryezën për reformën zgjedhore

Ambasada Amerikanë në Tiranë ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes opozitës jashtëparlamentare dhe maxhorancës për t’u ulur në një tryezë për reformën zgjedhore. Ambasada thekson rëndësinë e këtij dialogu për të krijuar një reformë që trajton dhe parashtron të gjitha rekomandimet e ODIHR-it në mënyrë që të zhvillohen procese zgjedhore të besueshme dhe demokratike.

Në mesazhin e tyre, SHBA thekson se ky bashkëpunim të ecë përpara për të siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni.

Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it. Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, shkruan Ambasada Amerikane në Facebook.

Më herët opozita jashtëparlamentare pranoi të ulej në një tryezë dialogu me qeverinë dhe opozitën parlamentare për të diskutuar reformën zgjedhore në vend. Ky ishte një hap i rëndësishëm dhe një ndryshim qëndrimi nga ana e saj, ku më herët kishte deklaruar se nuk do të ulej në një tavolinë me kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe se nuk e njihte opozitën parlamentare. Të martën opozita jashtëparlamentare pranoi të dy këto faktorë dhe mandatoi dy përfaqësuesit e saj Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin. Pas përfundimit të tryezës për reformën zgjedhore, të gjitha palët në takim, si mazhoranca, ashtu dhe opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare u shprehën se reforma zgjedhore po bëhet me konsensus mes palëve dhe se kjo reformë të arrihet brenda 15 marsit 2020.

“Jemi më të sigurt me SHBA. Logjikë si e Enver Hoxhës”. Shehu debat me Lubonjën në Real Story

Vrasja e Kasem Sulejmanit, komandantit të forcave iraniane QUDS, shkaktoi debate të forta në studion e “Real Story”. Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu tha se Shqipëria në politikën e jashtme ndjek linjën e diplomacisë amerikane, pasi janë partnerët tanë strategjik. Shehu tha se Shqipëria është më e sigurt pranë SHBA, duke iu referuar një rreziku të mundshëm për sulme nga Irani. Ndërkohë, ky pohim gjeti kundërshtimin e analistit Fatos Lubonja i cili e quajti këtë “logjikë të diktatorit Enver Hoxha”.

Pjesë nga debati:

Tritan Shehu: Çështja e Muxhahedinëve ka ndodhur që në kohën e Obamës. Erdhën 270 persona. A rrezikojmë ne apo jo duke marrë këtë apo atë?! Ne jemi një vend i angazhuar, nuk hymë në vendet e paangazhuara. Për ne aleati kryesor janë SHBA-të. Janë ata shkaku dhe forca kryesore e pavarësisë së Kosovës, e ndryshimeve demokratike në Mal të Zi dhe Maqedoni. Kur je i angazhuar, je. Pyetja e parë është; sa do i realizojë detyrimet e mia? Ne si PD e kemi deklaruar qartësisht edhe kur kjo qeveri votoi kundër rezolutave të SHBA. Ishte e turpshëm ajo që u bë ndaj rezolutës së SHBA. Ishte thikë pas shpine ndaj SHBA. Në çështjen e sigurisë globale ndjekim SHBA-të. Të jemi realist. Nëse ne luajmë rol aktiv, e luajmë në rajon. Dhe të duam që të luajmë rol në botë, s’luajmë dot.

Lubonja: Pse do vijë me ushtri Irani këtu?

Shehu: Unë e shtroj përgjigjen në formën e një pyetje. Kur jemi më të sigurt ne? Kur jemi pranë SHBA apo larg saj? Ne do jemi më të sigurt si komb, sa më pranë SHBA të jemi.

Lubonja: Kjo është logjika e Enver Hoxhës

Shehu: As më duhet fare ai. Flasim për vendin më të madh në botë, që është garancia e vlerave.

Lubonja: Gallup-i e quan vendin më të pasigurt në botë me sondazhet e tij.

Shehu: Kam ardhur që të them mendimet e mia dhe jo të Gallup-it. Ne jemi të sigurt kur jemi pranë SHBA. Garancia jonë dhe mbijetesa jonë lidhet me garancinë ndaj SHBA-ve. Ai u tregua fanatik. Kërcënim? E marr me rezerva. Detyra jonë është që të qëndrojmë bashkë me SHBA. Është gabim që të krijosh dyshime dhe jo solidaritet me SHBA. Pasi nxit dyshime. Ky realitet duhet parë në sy. Për mua ishte një detyrim që kishim ndaj SHBA-së. Ne realizuam një detyrim. Dikush çon ushtarë në luftë.

Lubonja: Pse nuk hynë amerikanët tek kurdët? Duhet ta pranojmë këtë fakt.

Shehu: Në radhë të parë jam shqiptar. Shoh interesin e shqiptarëve.

Lubonja: Të njëjtën gjë bën këta (të dyja palët PD-PS) kur shkoi ushtria në Irak. Këta e donin për mision lufte, për servilizëm. A e kanë pranuar që nga Trump, e Clinton, e Obama që ishte gabim ndërhyrja në Irak?!

Shehu: Nuk është thënë se ishte gabim.

Kongresi miratoi rezolutën që kufizon veprimet ushtarake kundër Iranit

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë më të cilën i kërkohet presidentit Donald Trump të marrë miratimin e Kongresit për veprimet ushtarake ndaj Iranit. Në favor të rezolutës ishin 224, ndërsa kundër votuan 194 ligjvënës.

Në një deklaratë të mëhershme, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kritikoi administratën e presidentit Trump për kryerjen e sulmit ajror javën e kaluar që vrau komandantin e forcave iraniane Quds, Qassem Soleimani, pa u këshilluar me Kongresin.

Ajo e quajti sulmin ajror një veprim “provokues dhe jo proporcional” që rrezikonte trupat dhe diplomatët amerikanë.

Rezoluta kërkon që presidenti të ndalojë përdorimin e forcave amerikane kundër Iranit derisa Kongresi nuk ka shpallur luftë ose nuk ka dhënë miratim ligjor, apo derisa një veprim i tillë ushtarak është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër një sulmi të menjëhershëm kundër Shteteve të Bashkuara, territoreve të saj apo forcave të armatosura.

“Administrata duhet të punojë me Kongresin për të çuar përpara një strategji të menjëhershme, efektive shtendosjeje që parandalon dhunën e mëtejshme,” tha zonja Pelosi. “Amerika dhe bota nuk mund t’i lejojnë vetes një luftë”, shtoi ajo.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, e cilësoi rezolutën e së enjtes “të gabuar” dhe “qesharake”.

Rezoluta nuk është detyruese, ndërsa vështirë që do të sigurojë votat e mjaftueshme në Senatin e kontrolluar nga republikanët./VOA/

BKH po vjen, SHBA: Po financojmë dhe trajnojmë hetuesit për bosët e krimit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës publikoi të mërkurën një video, ku informon qytetarët shqiptarë lidhur me ngritjen dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Fillimisht, ambasada tregon se “Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, mësoni se si Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), njësia hetuese dhe një nga dy elementët e SPAK, do të veprojë në mënyrë të ngjashme me FBI-në amerikane dhe do të hetojë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e ambasadës.

Ndërkohë, në video jepen dhe disa mesazhe, ku theksohet se “një nga përpjekjet tona kyçe është themelimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ajo do të përbëhet nga hetues të pavarur apolitikë, të cilët do të hetojnë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar”, thotë SHBA. Më tej, tregohet se në të kaluarën “njerëzit me pushtet apo para” mund të ndikonin në sistemin gjyqësor që të vendoste në favoret e tyre. Por, sipas SHBA, “sapo të themelohen, BKH dhe SPAK do të punojnë së bashku në mënyrë që ish zyrtarë dhe bosë të krimit të organizuar të japin llogari”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kujdesen për çdo detaj të krijimit të BKH-së. Në video thuhet se “Këshilltarët nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara po punojnë për të t`u siguruar që BKH të ketë vendin e punës, administratën dhe procedurat administrative për të kryer punën e saj. Gjithashtu, SHBA po kujdeset jo vetëm për trajnimin e punonjësve të BKH-së, por edhe për pajisjet që ata do të përdorin për hetimin.

Ndërkohë, SHBA thekson se “Departamenti i Drejtësisë i Shteve të Bashkuara do të ofrojë trajnim të nivelit më të lartë për hetuesit e BKH-së në Akademinë e FBI-së në Virxhinia dhe në Shqipëri. Hetuesit e BKH-së do të jenë pjesë e një force eleitare hetuese dhe una e tyre do të jetë sfiduese fizikisht dhe mendërisht. Hetuesit e BKH-së do të jenë ndër zyrtarët e zbatimit të ligjit më të trajnuar dhe të verifikuar më hollësisht në Shqipëri. BKH do të jetë këtu shumë shpejtë”, thotë ndër të tjera SHBA.

BKH është një nga dy strukturat kryesore të SPAK. Struktura tjetër është Zyra e Prokurorit të Posaçëm, ose SPO. Kjo zyrë do të çojë në gjykatë çështjet e hetuara nga SPAK. Për ngritjen e BKH, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka dhënë 4 milionë dollarë, ndërsa theksohet se ato “do të përdoren në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për zhvillimin e sistemit etik, transparent dhe profesional të drejtësisë që qytetarët e saj meritojnë. Shqiperia lufton korrupsionin”, përfundon mesazhi i SHBA. /Realstory.al/

Mësoni si BKH do të Hetojë Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

🇦🇱️ | Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e sundimit të ligjit në mbarë botën. Lufta kundër korrupsionit është prioritet i punës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Këtë javë, mësoni se si Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), njësia hetuese dhe një nga dy elementët e SPAK, do të veprojë në mënyrë të ngjashme me FBI-në amerikane dhe do të hetojë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar. Elementi i dytë i SPAK, Zyra e Prokurorit të Posaçëm ose SPO, do të çojë në gjykatë çështjet e hetuara nga SPAK. Kjo video tregon se si 4 milionë dollarë që Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dhënë për BKH-në, do të përdoren në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për zhvillimin e sistemit etik, transparent dhe profesional të drejtësisë që qytetarët e saj meritojnë. #ShqiperiaLuftonKorrupsionin #NdalKorrupsionit🇺🇸️ | The U.S. Government is committed to the fight against corruption and the respect for the rule of law all over the world. Fighting corruption is at the forefront of U.S. Embassy Tirana’s work in Albania. This week learn how the NBI, SPAK’s investigative unit and one of its two elements, will operate similar to the American FBI and will investigate high-level corruption and organized crime. SPAK’s second element, the Special Prosecution Office, or SPO, will bring SPAK-investigated cases to trial. This video shows how the $4 million that the United States Government has committed to the NBI, will be used in supporting Albania’s efforts to develop the ethical, transparent, and professional justice system its citizens deserve. #AlbaniaFightsCorruption #StopCorruption

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Mittwoch, 8. Januar 2020

Irani shpall terroriste forcat amerikane

Lideri i Gardës Revolucionare të Iranit kërcënoi të martën se “do t’i vinte flakën” vendeve që Amerika donte aq shumë, duke nënkuptuar Izraelin. Hossein Salami u zotua para mijëra personave që ishin mbledhur në Kerman, vendlindjen e gjeneralit të vrarë Qassem Soleimani.

“Do të hakmerremi. Do t’i vëmë flakën një vendi që ata pëlqejnë aq shumë dhe të gjithë e dimë se ku është ai vend”, tha Salami ndërsa turma bërtiste “Vdekje Izraelit”.

Ndërkohë, Parlamenti iranian miratoi një ligj sipas të cilit të gjitha forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara konsiderohen si terroriste.

Në këtë përcaktim përfshihen të gjithë punonjësit e Pentagonit dhe organizatave të lidhura me të, por edhe efektivët dhe komandantët që urdhëruan vrasjen e Soleimanit.

Ligjvënësit iranianë gjithashtu votuan për të kaluar rritur me 200 milionë euro fondet e forcave Quds, të cilat drejtonte Soleimani, për të përmirësuar fuqinë e tyre mbrojtëse.

NATO, mbështetje për SHBA në Lindjen e Mesme

Të gjitha vendet anëtare të NATO-s shprehën mbështetje ndaj SHBA në Lindjen e Mesme, tha Sekretari i saj i Përgjithshëm Jens Stoltenberg të hënën, pas informimit që iu bë atyre mbi sulmin me dron të së premtes, i cili çoi në vrasjen e komandatit të forcave elitë iraniane, Kasem Sulejmani.

Duke folur pas një takimi të pazakontë të NATO-s për Iranin dhe Irakun, në të cilin Shtetet e Bashkuara informuan aleatët, zoti Stoltenberg bëri thirrje për ulje të tensioneve, duke u bërë jehonë deklaratave të disa udhëheqësve evropianë.

“Ne jemi të bashkuar në dënimin që i bëjmë mbështetjes së Iranit për një shumëllojshmëri grupesh terroriste,” tha zoti Stoltenberg.

“Në takimin e sotëm, aleatët bënë thirrje për përmbajtje dhe çtensionim. Një konflikt i ri nuk do të ishte në interes të askujt. Prandaj Irani duhet të përmbahet nga dhuna dhe provokimet e mëtejshme”, tha ai.

Megjithë zemërimin vitin e kaluar midis disa aleatëve evropianë të NATO-s ndaj strategjisë amerikane në Lindjen e Mesme nën Presidentin Donald Trump, dy diplomatë të pranishëm konfirmuan se takimi dy-orësh në selinë e NATO-s u zhvillua pa probleme, sipas agjencisë së lajmeve Reuter.

Ata thanë se asnjë ambasador nuk i sfidoi zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe të Mbrojtjes, të cilët informuan me videokonferencë mbi operacionin me dron.

Në takim nuk pati diskutime apo kritika rreth listës me objektiva të Presidentit Trump, që përfshijnë edhe objekte kulturore, nëse Irani hakmerret me sulme ndaj amerikanëve ose pronave të SHBA, thanë diplomatët.

Takimi u përqendrua kryesisht te vendimi i NATO-s për të pezulluar misionin e saj të trajnimit në Irak, pas një rezolute të parlamentit irakian, që bënte thirrje për largimin e trupave të huaja.

Ndërsa ekzistonte shqetësimi se vrasja e njeriut të dytë më të fuqishëm të Iranit mund të shkaktojë një konflikt të ri në Lindjen e Mesme, Franca, Gjermania dhe të vende të tjera thanë se dëshirojnë që misioni në Irak të vazhdojë.

“Do të dërgohej sinjali i gabuar nëse tërhiqemi,” tha një diplomat i NATO-s.

Misioni i NATO-s për Irakun, i përbërë nga disa qindra trajnues, këshilltarë dhe staf mbështetës si nga vende anëtare ashtu edhe jo-anëtare, partnere të aleancës, përfshin personel ushtarak dhe civil./VOA/

Skip to toolbar