Tirana do të presë në fund të muajit tetor, pikërisht pas vendimit për negociatat, i cili është shtyrë në këtë muaj, Konferencën Mesdhetare të OSBE-së, me 57 vendet anëtare dhe me pjesëmarrjen e vendeve mesdhetare si, Egjipti, Jordania, Izraeli, Algjeria, Maroku dhe Tunizia. Përveç këtyre vendeve të ftuar do të jenë edhe një serë organizatash ndërkombëtare si dhe partnerët aziatikë si: Afganistani, Australia, Japonia, Korea dhe Tailanda.
Ky vendim vjen vetëm pak ditë, pasi Presidenti Meta kërkoi ndihmën e OSBE për zgjidhjen e krizës politike në vend, ndërsa Cakaj e ka cilësuar vendimin si mbështetje për Shqipërinë.
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, në një postim në rrjetin social Facebook njofton se vendimi është marrë nga Këshilli i Përhershëm i Ambasadorëve të OSBE-së. “Ky vendim dëshmon edhe njëherë mbështetjen dhe besimin që vendet anëtare të OSBE-së kanë ndaj Shqipërisë”, shkruan Cakaj.
Mbajtja e kësaj konference në Shqipëri kulmon kryesimin e vendit tonë të Grupit të Kontaktit për Mesdheun në kuadrin e Kryesimit nga Shqipëria të OSBE-së në 2020. “Në fokus të kësaj Konference do të jetë eksperienca 25 vjeçare e partneritetit të OSBE-së me vendet e Mesdheut duke u ndalur në rëndësinë e dialogut në përballimin e sfidave të përbashkëta por dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim.” shkruan Cakaj.