Moti i keq i bllokon në grykëderdhjen e Vilunit, policia shpëton 21 turistë

AKTUALITET


Policia kufitare dhe FNSH u ka shpëtuar jetën 21 turistëve, të cilët kanë mbetur të bllokuar në grykëderdhjen e Vilunit në Shkodër. Shpëtimi i tyre ka ardhur nga disa ndërhyrje të policisë, ku fillimisht janë shpëtuar pesë persona nga Shqipëria dhe Kosova dhe herën e dytë 9 persona nga Çekia. Vetëm pak minuta pas njoftimit të parë, policia tha se ka shpëtuar dhe 7 persona të tjerë nga mbytja për shkak të dallgëve të mëdha.

“Falë ndërhyrjes së shpejtë nga Policia Kufitare dhe FNSH, u është dhënë ndihma e parë 5 shtetasve nga Shkodra dhe Kosova në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit, të cilët rrezikuan mbytjen. Pesë shtetasit u transportuan për në qendrën spitalore, ku gjendja shëndetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetën”, deklaroi policia.

Po në të njëjtin vend u dha ndihma dhe 9 shtetasve çekë, të cilët kishin ngelur të izoluar dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik. “Falë ndërhyrjes së Policisë të 9 shtetasit kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën. Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit”, deklaroi policia.

Po ashtu, vetëm pak minuta pas njoftimit të policisë për shpëtimin e 14 personave në grykëderdhjen e Vilunit, policia njoftoi që 7 persona të tjerë janë shpëtuar sërish në plazhin e Velipojës në të njëjtën zonë. Ata kanë rrezikuar të mbyten si pasoje e dallgëve të mëdha në det, por kanë qenë vrojtuesit e plazhit si dhe policia që kanë bërë të mundur shpëtimin e tyre, duke i nxjerrë nga uji. Ndryshimi i papritur i kushteve atmosferike, ka sjellë një det të trazuar dhe me dallgë të mëdha. Pavarësisht tyre, shumë pushues i janë drejtuar detit si çdo ditë. Madje në kullat e vrojtimit në  bregdetet shqiptare janë ngritur flamujt e kuq që tregon se nuk duhet të hyhet në det, pushuesit nuk e kanë zbatuar këtë sinjal.

Policia e Shtetit, ju bën thirrje të gjithë pushuesve të tregojnë kujdes maksimal pasi deti aktualisht është i trazuar dhe me dallgë të mëdha.

Policia e Shtetit sugjeron pushuesit dhe turistët që të shmangin lëvizjet me mjete lundrimi, si motorr uji apo varka deri në qetësimin e detit. Policia Kufitare ka rritur patrullimin me mjetet e saj lundruese në det dhe është angazhuar maksimalisht për t’i ardhur në ndihmë çdo pushuesi që i rrezikohet jeta në det. Në ndihmë të Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht edhe shërbimet e Policive Vendore si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me patrullim tokësor.



Skip to toolbar