“Kërcënoi” pushuesin kosovar në Durrës, pezullohet polici

AKTUALITET


Pezullohet nga detyra një punonjës policie, i cili dyshohet se ka kërcënuar një pushues nga Kosova, kur ai ka kërkuar të denoncojë vjedhjen e tre celularëve në një banesë me qira, që kishte marrë për të kaluar pushimet në Durrës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë së Komisariatit të Policisë Durrës, për komunikim jo etik me pushuesin nga Kosova menjëherë pas publikimit të videos, ku punonjësi i policisë shfaqet duke kërcënuar pushuesin nga Kosova.


Policia e Shtetit tha se në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale nga një shtetas kosovar, i cili ka bërë publik komunikimin jo etik të punonjësit të Policisë, sqarojmë opinionin publik se në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Durrës është bërë një njoftim për vjedhjen e 3 celularëve. Me marrjen e njoftimit, policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë kontakt me shtetasin kosovar, i cili ka thënë se në banesën e marrë me qira i kishin marrë 3 celularë.

Pasi punonjësit e policisë kanë kryer veprimet paraprake, i kanë shpjeguar procedurën që duhej për të bërë kallëzim në lidhje me vjedhjen e celularëve që ai pretendonte, por shtetasi kosovar, i identifikuar si Mensur Hyseni, nuk ka pranuar dhe më vonë ka deklaruar se i ka gjetur celularët. Sipas policisë, gjatë komunikimit në lidhje me rastin, Ndihmës/Specialisti i Policimit në Komunitet A.L. ka përdorur komunikim jo etik me shtetasin kosovar.

Në videon e publikuar vihet re se punonjësi i policisë i ka shprehur pushuesit se “mendohu mirë se ku i ke lënë se nëse del ndryshe shkon në burg për kallëzim të rremë”. Hyseni thotë se nën kërcënim, ku veç komunikimit me punonjësin e policisë, pretendon se është kërcënuar dhe nga pronari i shtëpisë, është detyruar të nënshkruajë deklaratën që mos të bëjë kallëzim penal.

Për këtë, punonjësi i policisë është pezulluar nga detyra dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar hetimin disiplinor ndaj tij.

Policia e Shtetit thotë se është e angazhuar maksimalisht për të garantuar një ambient sa më të sigurt për të gjithë pushuesit, vizitorët e turistët.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të policisë me detyrën dhe çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital dhe në adresat e tjera zyrtare të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin pa pagesë 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB, duke garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.




Skip to toolbar