Rama: S’ka negociata me Bashën, e pres në dialog

POLITIKË


Kryeministri Rama ka mohuar që të ketë një iniciativë të ndërkombëtarëve për një komunikim me Bashën për zgjidhjen e krizës politike. Ai ripërsëriti ftesën për dialog për kreun e opozitës, por shtoi se nuk ka kohë për t’i pritur.

“Asnjë komunikim me Bashën përmes ndërkombëtarëve. Situata nuk mund të vijojë të marrë energjitë e mia dhe tonat për këtë çështje. Ne e kemi dhënë qëndrimin, jemi gati të dialogojmë në çdo moment me opozitën jashtë parlamentare, por jo të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë. Nuk jam gati të harxhoj kohën me këtë muhabet çdo ditë. Ka gjëra më të rëndësishme për mua sesa të pres Bashën apo Kryemadhin që të kandisen për të folur”, deklaroi Rama.

Madje, ai kërkoi në distancë nga lideri i opozitës se duhet të nxitojë, pasi viti 2021 nuk është larg, duke nënkuptuar se ai nuk tërhiqet për zgjedhje të parakohshme. “Nuk kam asnjë paragjykim asnjë kusht, duan të ulen dhe të diskutojnë të ardhmen, 2021 është shumë afër sesa i duket atyre dhe nëse ata vijojnë kështu, edhe disa muaj, 2021 e kanë paketuar sërish me duart e tyre”, deklaroi Rama para gazetarëve në konferencën për bilancin e qeverisë.



Skip to toolbar