Presidenti Ilir Meta nuk ka guxuar t’i përmendë as emrin miliarderit George Soros të cilin rreth një muaj më parë e akuzonte për instalimin e një shteti paralel dhe të kapur në Shqipëri, ndërkohë që i dërgoi kreut të PD-së, Lulzim Basha një mesazh ndoshta të koduar teksa kujton bileta avioni të paguara nga Soros.
I pyetur në konferencën e së martës në lidhje me një porosi që Basha u ka dhënë të vetëve që në asnjë rast të mos komentojnë akuzat e Metës ndaj Soros, presidenti tha se nuk ndërhyn në debate e brendshme të partisë. Në këtë kuadër Meta, këtë herë i distancuar nga akuzat, nuk i përmend emrin Sorosit, dhe flet për bileta avioni të paguara prej tij, që duket si një mesazh dërguar lidershipit të PD-së.
“Unë nuk ndërhyj në asnjë debat të brendshëm të asnjë force politike. Nuk kam asnjë detyrim ndaj këtij emri që ju përmendni dhe fondacioneve dhe perandorive të tij. Nuk kam përfituar asgjë, asnjë biletë avioni që të kem ndonjë brerje ndërgjegje. Do mbroj sovranitetin e vendit tim. Unë për çështjen e integrimit evropian mos u lodhni të shkoni te asnjë ambasador evropian, vetëm unë flas ndershmërisht”, u shpreh Presidenti Meta.
Kujtojmë se dokumenti i shpërndarë anëtarëve të kryesisë së PD-së dhe ish deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së u publikua nga realstory.al dhe ky dokument fakton tradhtinë që PD po bën ndaj Metës dhe faktin se Soros nuk mbështet vetëm maxhorancën sikurse akuzon presidenti por edhe lidershipin e PD-së.
Një tjetër mesazh që Meta i dërgoi Bashës ishte dhe ai për zhvillimin e zgjedhjeve në13 tetor për të cilin Basha duket se është distancuar. Presidenti tha se ata që nuk e njohin si data le t’i shohin zgjedhjet si spektatorë. Ndërkaq edhe LSI ka nisur të distancohet nga Basha dhe është shprehur gati që të futet në zgjedhjet e 13 tetorit sikur dhe aleatë të tjerë të PD, si Mediu. Megjithëse në fakt është një datë antikushtetuese dhe që ka rënë me vendim të prerë të Kolegjit Zgjedhor.
Gjithsesi presidenti u shfaq kaotik në qëndrim dhe u hodh në shumë çështje. Fillimisht shpalli nismën e tij për krijimin e forumit “Unë jam arbëresh”, pastaj kaloi tek tërmeti apokaliptik, tek dekreti për 3 palë zgjedhje në 13 tetor, tek negociatat me BE-në dhe tek garantimi i Ramës së ai është mirë me shëndet.
Ndërsa Rama i kujtoi klinikën duke nënkuptuar se presidenti nuk është mirë me shëndet, Meta e garantoi se është aq mirë sa do t’i ngjitet Korabit. “Po të kem problem shëndetësor shkoj te doktori. Sa i takon parametrave të mi, janë në përmirësim. Jam gati për të ngjitur Korabin”, tha Meta, ndërsa bëri ironi me kryeministrin kur tha se ai është lider lokal dhe nuk e mban veten si lider global. Ironi kjo që megjithëse nuk e përmendi, lidhej me bisedën telefonike 60 minutëshe mes Ramës e Macron, për të cilën kryeministri tha shkurt se kanë biseduar ashtu siç bëjnë gjithmonë për Europën dhe Rajonin.
Ndërsa Meta teksa theksoi disa herë që e mban veten për lider lokal theksoi dhe njëherë thirrjen që në 13 tetor të zhvillohen 3 palë zgjedhje duke bërë parashikimin se nëse nuk ndodh kjo, nuk do të ketë çelje të negociatave me BE-në./Realstory.al