Balla: KLP edhe KLGJ të hetojnë gabimet procedurale

POLITIKË


Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla e ka cilësuar të turpshëm vendim e gjykatës për pushimin e çështjes me lobimin rus në SHBA, ku i akuzuar kryesor ishte kryedemokrati Lulzim Basha së bashku me ish-Sekretarin e Përgjithshëm, Arben Ristani dhe financierin e PD, Ilir Dervishi.

Balla tha se një vendim i tillë tregon se gjyqtarët që nuk kanë kaluar ende vettingun po zbatojnë parimin e “kap ç’të kapësh” me teatro të tilla, ndërsa paralajmëroi se do të ketë apelim të çështjes duke i bërë thirrje Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të hetuar gabimet procedurale që janë bërë me dashje për këtë çështje.


“Prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë” tha Balla duke shtuar se përfituesi i parave Nik Muzin duhet të merret në pyetje dhe kjo dosje e rëndë nuk mund të mbyllet pa u hetuar në themel.

“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim.

Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare.

Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vettingut dhe që zbaton parimin ‘kap çfarë të kapësh’, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm.

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë.

Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”, shkruan Balla në facebook.

Gjykata e Tiranës pushoi të hënë çështjen në ngarkim të kreut të PD, Lulzim Basha dhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë të PD Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, në lidhje me lobimin rus në SHBA me pretendimin se nuk ekzistojnë prova.




Skip to toolbar