E vërteta është se i kemi hyrë në hak planetit më shumë se ç’duhet. 29 korriku që kaloi quhet “Overshoot day” që me fjalë të thjeshta përkthehet “dita e mbivendosjes” dhe tregon datën kur njerëzimi ka përdorur më shumë burime natyrore sesa planeti mund të rigjenerojë në një vit.
Pra gjithçka që ne bëjmë pas 29 korrikut është një jetë në borxh ndaj planetit, për gjeneratat e ardhshme. Kështu ka zbuluar qendra kërkimore “Rrjeti Global i Gjurmëve”, që shkruan se njerëzimi i detyrohet planetit në konceptin e gjurmës ekologjike, një tregues që lidhet me kërkesën njerëzore të natyrës në lidhje me biokapacitetin e tokës për të rigjeneruar burimet e tij brenda një viti, duke marrë parasysh sipërfaqen prodhuese të tokës së nevojshme për të kënaqur nevojat njerëzore për prodhimin e ushqimit, drurit dhe fibrave, zonave të destinuara për infrastrukturat urbane dhe thithjen e emetimet e CO2 (dyoksidi i karbonit).
Pra është stili i ushqimit, transporti, strehimi, konsumi i mallrave dhe shërbimeve që përcaktojnë gjerësinë e gjurmës sonë ekologjike.
Të dhënat e fundit na tregojnë se me nivelet e konsumit aktual, ne jemi duke përdorur burimet e 1,75 të Tokës, një deficit ekologjik që po rritet që nga vitet 1970 dhe që po merr karakteristika gjithnjë e më të dukshme në drejtim të shpyllëzimit, humbjes të biodiversitetit, erozionit të tokës, varfërimit të rezervave globale të ujit. Një studim i kohëve të fundit ka konfirmuar se, në 2000 vitet e fundit, nuk ka pasur kurrë një periudhë si e karakterizuar nga ndryshime të papritura të temperaturës në të gjithë planetin, të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
Me një popullsi prej gati një miliard e gjysmë, Kina është vendi me gjurmën më të lartë ekologjike në botë, i ndjekur nga Shtetet e Bashkuara dhe India.
Në rajonin e Mesdheut, ushqimi është sektori kryesor përgjegjës për gjurmën ekologjike (rreth 28% të totalit), madje edhe më i lartë se sektori i transportit (22%). Në vendet e zonës, furnizimi me ushqim është 20-40% më i lartë se kërkesa ditore e rreth 2.500 kalori për frymë. Në përgjithësi, dietat shumë të pasura me proteina shtazore dhe varësia nga importi i ushqimit përcaktojnë nivele të larta të gjurmës ekologjike.
Aksionet që duhen ndërmarrë për të ndryshuar situatën, janë mbjellja e 350 milionë hektarë pyjeve.
Por është parashikuar se çdo qytetar, pra secili nga ne, mund të bëjë pjesën e tij për t’i ardhur sado pak në ndihmë planetit: për shembull, duke ricikluar dhe ripërdoruar produktet e ndryshme që blihen, duke përdorur më shpesh transportin publik ose duke përdorur biçikletën. Duke adoptuar një dietë të ekuilibruar dhe të qëndrueshme – siç është mesdhetare – duke respektuar traditat e veta, duke zvogëluar mbeturinat.
Nëse të gjithë banorët e planetit do të kishin stilin e jetesës së një italiani, do të duheshin burimet e 2.7 planeteve të ngjashme me Tokën, ndërsa ajo e një amerikani do të kishte nevojë për burimet e 5 planeteve si Toka.
Por ne kemi vetëm një dhe duhet të kujdesemi për të.