Kandidati për kryetar të SPAK kalon me sukses ‘Vettingun’, lë pa fjalë ONM

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë prokurorin Altin Dumani, një nga 15 kandidatët për t`u bërë anëtar i Prokurorisë së Posaçme. Dumani ka kaluar vlerësimin e pastërtisë së figurës së tij në të gjitha nivelet, nga pasuria, integriteti profesional dhe ai moral. Vendimi për të lënë në detyrë prokurorin Altin Dumani, është pritur me duartrokitje në sallë, ndërkohë që për herë të parë, as Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk ka pasur asnjë pyetje për Dumanin.

Theo Jacobs u shpreh pas seancës për vendimin ndaj Dumanit se “Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”, u shpreh Jacobs. Altin Dumani është një nga kandidatët e SPAK, Prokurorisë së Posaçme që do të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend në nivele të larta të politikës.


Ai mori pikët maksimale në vlerësimin  e Këshillit të Lartë të Prokurorisë pak ditë më parë, duke u renditur i pari në listën prej 15 anëtarësh, kandidat të SPAK. Në këto kushte, Atlin Dumani pritet jo vetëm të jetë një nga anëtarët e parë të SPAK, por njëkohësisht kandidat kryesor për të drejtuar këtë strukturë hetimore, që pritet me mjaft interes në vendin tonë, dalë nga Reforma në Drejtësi. Aktualisht Atlin Dumani është Prokuror i Apelit për Krimet e Rënda.




Skip to toolbar